Mes rezistencës dhe protestave, Putin mbështetet nga qytetarët për zgjedhjet e Rusisë, opinioni i CNN: Pritet të fitojë një mandat të pestë

13/03/2024 15:44
Mbështetës te Vladimir Putin në një marshim në kryeqytetin ceçen Grozny, Rusi, 10 mars, 2024

Megjithëse Putin është nxitësi kryesor i luftës brutale në Ukrainë, i shtypjes së zërave disidentë në vend dhe i kthimit të Rusisë në një prej vendeve më të sanksionuara nga Perëndimi, ai pritet të fitojë një mandat të pestë në krye të Kremlinit dhe vijon kontrollin e fortë prej më shumë se 20 vjetësh, thuhet në një opinionin të rrjetit CNN.

Shumë mund ta mendonin ndryshe duke parë skenat e rezistencës javët e fundit në Rusi dhe numrin e madh të njerëzve në memorialët e opozitarit Alexey Navalny, i cili vdiq muajin që shkoi në mënyrë të pashpjeguar në një koloni burgimi në Arktik.

Dhjetra njerëz janë arrestuar teksa vendosnin lule në memorialin e tij, thotë një grup i monitorimit të të drejtave të njeriut.

Por kjo nuk ndaloi mijëra vetë të merrnin pjesë në funeralin e tij ndërsa tani që Rusia shkon në zgjedhje nga e premtja deri të dielën, njerëzit vazhdojnë të sillen rreth varrit të tij duke vijuar të sfidjonë autoritetet e Kremlinit.

“Sikur Alexey të ishte në zgjedhje do të votoja për të, por tani s’ka asnjeri,” thotë një i intervistuar nga CNN në hyrjen e varrezën ku është vendosur Navalny. Ai refuzoi të identifikohej nga frika e pasojave.

Një e re e quajtur Yulia, që kishte qenë në varrin e Navalny tha se mbetej optimiste për ndryshim në Rusi, edhe pse jo shumë shpejt.

“Megjithse Alexey Navalny vdiq, ka ende shpresë, ka shumë që nuk e mbështesin Vladimir Putin,” tha ajo.

Por nga ana tjetër ka shumë rusë që vijojnë ta bëjnë.

Në Perëndim, Gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër arresti për krime lufte ndaj Putin për atë që ai quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë, me disa qindra mijëra viktima nga të dyja palët.

Por në sondazhin e fundit, qendra e respektuar e analistëve Levada në Moskë, llogariste mbështetjen ndaj Putin në shifrën impresionuese 86%.

Sigurisht që në një vend ku kritikët burgosen, dëbohen ose vriten, edhe sondazhet e opinionit mund të jenë të njëanshme. Një tjetër faktor mund të jetë makineria e propagandës së Kremlinit që pompon çdo vakt lajme shtetërore, ku shumë rusë ende marrin informacionin e tyre.

Në një zonë në veri të Moskës, një park-ekspozitë e epokës sovjetike shfaq “arritjet” e vendit në industri, bujqësi, arte apo dhe luftë.

Edhe pse funerali i Navalny kishte shumë emra të njohur, ky panair tërheq mijëra njerëz çdo javë, shumë prej tyre turistë të brendshëm rusë ashtu si dhe familje nga kryeqyteti.

CNN tha se foli me disa vizitorë të parkut që ishin të gjithë pro-Putin.

“Do votoj për Putin, sepse e ka përmirësuar Rusinë,” thotë 41-vjeçari Dmitry, nga republika veriore ruse Komi, që po viziton me gruan.

Dmitri me bashkeshorten nga Komi

Në lidhje me Luftën në Ukrainë, ai përgjigjet: Ne e mbështesim atë, duhet të fitojmë dhe nëse është e nevojshme do të shkoj dhe unë”. Nuk dihej nëse turisti verior jepte një opinion të sinqertë apo të nxitur nga frika e pasojave.

Sergey, një 25-vjecar punonjës zyre, tha se besonte se kishte të sigurtë vendin e punës, dhe refuzonte sugjerimet se sanksionet ndërkombëtare kishin dobësuar apo varfëruar Rusinë.

Artyom, inxhinier 30-vjeçar dhe mbështetës i Putin, tha se lufta në Ukrainë dhe tensionet me Perëndimin e kishin ndihmuar Rusinë të vendosej më mirë në binarë.

“Rusia duhet të njihet në arenën botërore sepse ne nuk jemi qytetarë të dorës së dytë”, tha ai.

Me sa duket Putin ka arritur të forcojë krenarinë e rusëve si dhe të rrisë disi standardet e jetesës, duke ruajtur masën e duhur të mbështetjes popullore.

Ajo që nuk dihet është sa do të zgjasë kjo, teksa numri i të vdekurve të luftës rritet, bashkë me pakënaqësinë dhe vështirësitë ekonomike, shkruan rrjeti CNN.

Mijëra rusë kishin dalë në mitingjet e kandidatit presidencial anti-luftë Boris Nadezhdin, derisa autoritetet të ndalonin kandidaturën e tij.

Megjithëse rezultati zgjedhjeve presidenciale në Rusi mund të jetë i paevitueshëm, popullariteti i Putin përballet me sfida serioze.

FOTO GALERI
1/3
Slogani pro-Putin ne metro shkruan: Se bashku jemi nje force, voto per Rusine

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA