![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/4eb153a1-7ff5-42e3-8163-bf6226b6d870_w1023_r1_s_sd-800x450.jpg)
Gazetarja Anila Hoxha, e ftuar në “Top Story”, përmendi një detaj të rëndësishëm në hetimet e çështjes 21 Janari, çështje që do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Sipas Hoxhës, gëzhdojat që janë qëlluar atë ditë drejt protestuesve, ku humbën jetën katër prej tyre dhe u plagosën disa të tjerë, fshiheshin me fshesë.
“Shqipëria i është drejtuar amerikanëve për ndihmë, drejtësia shqiptare nuk mori një përgjigje. Dua të kujtoj një sërë provash për dëmtimin e të vërtetës, pati persona të tjerë të dyshuar, edhe zyrtarë të qeverisë.
Në kryeministri ka pasur të vendosura 19 kamera, ndërsa ditën e tragjedisë ishin 11 të tilla. Rezultonte se 9 të tilla nuk punonin. Ekspertiza vërtetoi se këto kamera ishin fshirë pas 21 janarit.
Pas tragjedisë së 21 Janarit mbaj mend se si u administrua vendngjarja, gëzhojat fshiheshin me fshesë, ka qenë një prokurore që administronte, por ishte shumë pak. Ishte shumë e vështirë të flisje me efektivë të gardës. Ka pasur një përplasje mes Prokurorisë dhe policisë në atë kohë”, tha gazetarja.
Mungesa e vëmendjes në këto gëzhdoja, sipas Hoxhës, është thelbësore në zhvillimin e hetimeve, sepse “nuk kemi ende autorë se kush vrau dhe kush plagosi, për sa kohë provat nuk treguan se nga cilat armë u qëllua.”
“Gëzhoja është kthyer në heroinën e kësaj historie”, thotë ajo.
Top Channel