Një i mitur 15 vjeçar është plagosur me thikë nga një bashkëmoshatar i tij këtë mëngjes në një rrugicë pranë një blloku pallatesh në lagjen “18 Shtatori” të qytetit shumë pranë shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi”.
Të dy 15 vjeçarët janë parë duke debatuar para këtij akti në prani edhe të një tjetër vajze të mitur 13 vjeçare. Fillimisht u mendua se 13 vjeçarja e kishte plagosur me thikë djalin nga Tepelena që jetonte në konvikt në Gjirokastër dhe ishte nxënës i shkollës së mesme.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7:30 të mëngjesit pranë një njësie që shet fruta-perime. Gruaja që ishte duke sistemuar furnizimet ka dëgjuar fillimusht thirrjet e djalit të plagosur dhe më pas të qarën e vajzës 13 vjeç që kërkonte ndihmë për shokun e saj. I mituri u ndihmua nga kalimtarë të rastit pasi kishte gjakderdhje serioze nga plaga që ka marrë në pjesën e barkut.
Më tej po qytetarët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën. Gjendja e 15 vjeçarit është e stabilizuar dhe goditja nuk i ka shkaktuar dëmtime të organeve vitale.
Policia ka kapur dhe shoqëruar pak minuta pas ngjarjes 15 vjeçarin që kreu plagosjen si dhe po pyet 13 vjeçaren që ishte dëshmitare në vendngjarje. Besohet se konflikti mes të dy djemve kishte nisur më parë për shkak të vajzës 13 vjeç nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi”.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Gjirokastër, familjet e të miturve të përfshirë si dhe bashkëmoshatarë të tjerë. Policia po pyet edhe nxënës të tjerë miq të të tre të miturve për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat.
Top Channel