Një ngjarje e pazakontë ndodhi pak ditë më parë në Durrës, ku një 23- vjeçare e huaj, u hodh nga dritarja e katit të dytë për t’i shpëtuar dhunës nga një 39 vjeçar nga Shijaku.
Pas kësaj ngjarjeje u zbulua se në këtë godinë ekzistonte dhe funksiononte një rrjet prostitucioni, ku 5 vajza të huaja, përfshirë dhe 23 vjeçaren, vetëofroheshin për marrëdhënie seksuale në këmbim të parave.
Por si ishte e mundur që policia nuk e kishte zbuluar më parë këtë fole prostitucioni që funksiononte prej disa muajsh?
Në studion e “Shqipëria Live”, avokati Kujtim Ibraj thotë se ka dhe ambiente që shfrytëzohen për prostitucion dhe që ndodhen shumë pranë komisariateve. Ai tha se në këtë rast, efektivët e policisë, ose zyrtarët, ose janë të përfshirë në korrupsion dhe marrin para në këmbim të heshtjes, ose bëjnë një ‘sy qorr’.
“Në momentin që bëhesh mikpritës i madh i turistëve, duhet të përgatitemi për shtim prostitucionit dhe lëndëve narkotike. Në Tiranë ka shumë qendra që ushtrohet prostitucion, dhe policia ka dhe informacion si ushtrohet dhe nëpër banesa… unë di qendra që nuk kanë qenë më larg se 100 metra nga komisariati. Si është e mundur që policia të mos ketë dijeni? Ata kanë dijeni të plotë. Këta punonjës ose janë zhytur në korrupsion dhe marrin para, ose mbyllin njërin sy”, u shpreh ai.
Ndërkohë për rastin e ndodhur në Durrës ai u shpreh se as vajza dhe as 39 vjeçari nuk rrezikojnë të dënohen me burg, pasi kemi të bëjmë me ushtrim prostitucioni dhe jo shfrytëzim.
“Për vajzat e huaja jemi para veprës penale të ushtrim të prostitucionit dhe jo shfrytëzim, ndërsa për shtetasin nga Shijaku jemi para veprës së dëmtimeve të tjera me dashje. Nëse je klient nuk dënohesh, por nëse shfrytëzon dënohesh”, shprehet avokati.
Sa i takon shtëpive publike, ai mendon se do të ishte mirë të hapeshin dhe të kontrolloheshin, pasi kjo është në të mirë të vajzave që zgjedhin ta ushtrojnë këtë aktivitet, por dhe personave që janë në rolin e klientëve.
“Di një rast që një vajzë që ushtronte prostitucion është rrahur për vdekje, sepse klienti donte që të kryenin marrëdhënie pa masa mbrojtëse”, thotë ai, duke vënë në pah nevojën që shteti t’i kontrollojë dhe të ketë më tepër siguri dhe rregulla.
Top Channel