Analiza nga VOA/ Anëtarësimi i Suedisë në NATO pasqyron realitetin e ri të sigurisë në Evropë

08/03/2024 17:57

Suedia iu bashkua zyrtarisht NATO-s të enjten, një vendim që zyrtarët thonë se u nxit nga sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë ndaj Ukrainës.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, ky njoftim u bë ndërsa aleanca po bën stërvitje në shkallë të gjerë mbi rrethin e Arktikut për të demonstruar fuqinë dhe unitetin.

Të enjten, Suedia u bë vendi i 32-të i NATO-s. Njoftimi zyrtar u bë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Para sulmit të dytë të Putinit ndaj Ukrainës në shkurt 2022, anketimet tregonin se më pak se një e treta e suedezëve mbështesnin anëtarësimin në NATO. Pas sulmit, tre të katërtat e suedezëve e bënë të qartë dëshirën për t’iu bashkuar aleancës. Suedezët kuptuan diçka tepër të rëndësishme – që nëse Putini e ka dëshirën për të fshirë një vend fqinj nga harta, atëherë ai mund të mos ndalet me kaq”, tha Sekretari Blinken.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson paralajmëroi se situata e sigurisë në Evropë nuk ka qenë kaq serioze që nga Lufta e Dytë Botërore, por se vendi i tij mund të ndihmojë.

“Kemi kapacitete unike me të cilat mund të kontribuojmë në tokë, ajër dhe det. Mbështetja jonë për Ukrainën është thelbësore. Ukraina po lufton me guxim për lirinë e saj, por po mbron edhe lirinë evropiane”, tha kryeministri suedez.

Ai ishte ndër të ftuarit e nderit të presidentit amerikan Joe Biden gjatë fjalimit për gjendjen e vendit në Kongres.

“Sot e bëmë NATO-n më të fortë se kurrë. Mirëpritëm Finlandën në aleancë vitin e kaluar. Dhe pikërisht sot paradite, Suedia u anëtarësua zyrtarisht dhe kryeministri i saj është tani këtu. Ngrihuni në këmbë. Mirëserdhët!”, tha presidenti Biden.

Lajmi u mirëprit edhe nga presidenti ukrainas Zelenskyy.

“Një vend më shumë në Evropë është bërë më i mbrojtur nga e keqja ruse. Kur siguria e një vendi është e garantuar dhe kur ai vend vërtet mund të forcojë sigurinë e përbashkët, të gjithë fitojnë”, tha presidenti ukrainas.

Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov foli për reagimin që do të bëjë Rusia ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO duke përforcuar praninë e saj ushtarake në rajonet Moskë dhe Leningrad.

“Armatime të reja do të vendosen, stacionohen dhe dislokohen, që do të jenë të mjaftueshme ndaj rreziqeve që mund të shfaqen nga territori i Finlandës dhe Suedisë”, tha zoti Lavrov.

Duke demonstruar fuqinë dhe unitetin, NATO filloi stërvitje ushtarake në Arktik të hënën, në kuadrin e manovrave më të gjera që do të vazhdojnë për disa muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA