Top Channel ka siguruar momentin kur Gjergj Zaharia, babai i Elias pret vendimin në gjykatën e dhomës civile në Tiranë.
Sikurse duket në pamjet e siguruara nga gazetarja Anila Hoxha, ai qëndron i ulur dhe mban duart në kokë, ndërsa më herët TCH publikoi edhe pamjet teksa Elia Zaharia pret vendimin.
Gjyqatari Artan Haradinaj vendosi që çifti të pajiset me urdhër-mbrojtjeje dhe të mbajnë një distancë 5 metra nga njëri-tjetri. Sipas vendimit, princ Leka do të takojë vajzën e tyre 3-vjeçare vetëm në prani të dados.
Princ Leka në gjykatë u përfaqësua nga dy avokatët e tij, pa qenë vetë i pranishëm.
Pas publikimit të videos së përplasjes fizike të një dite më parë mes Princit Leka dhe bashkëshortes së tij në proces divorci, Elia Zaharia, çifti është përballur sot në Gjykatën e Tiranës.
Princ Leka dhe Elia Zaharia, që janë në proces divorci, pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri, ndërsa ky moment është filmuar edhe me video.
Gjithçka ka nisur kur Princ Leka ka shkuar të takojë të bijën në shtëpinë e tij, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia. Siç rrëfen Princ Leka në dëshminë e tij, në ato momente vajza e mitur ka qenë me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrri i tij, i cili po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë.
Këtë takim të dy e përshkruajnë të dhunshëm, teksa Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.
Madje, në dëshminë e tij, Princ Leka pretendon se është dhunuar me sende të forta si statuja e drurit, ndërsa thotë se ish-vjehrri i ka grisur edhe xhupin në sy të vajzës. Ai thotë se sherri nisi nga ana e Gjergj Zaharia që “ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.
Oborri Mbretëror reagoi duke kërkuar nga policia fshirjen e pamjeve, ndërsa vetë policia tha se po hetohet se kush i ka publikuar pamjet e dhunës, të filmuara nga vetë Princ Leka.
Prokuroria ndërkohë ka nisur hetimet për dhunë në familje.
Top Channel