Shpërthimi në magazinën e deputetit, Gjykata e Fierit shpall moskompetencën, dërgon aktet në Gjykatën e Posaçme

07/03/2024 16:29

Gjykata e Fierit ka shpallur moskompetencën dhe vendosi dërgimin e akteve Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si gjykatë kompetente për gjykimin e çështjes së shpërthimit në magazinën e deputetit Bujar Çela.

Sipërmarrësi i punimeve në magazinën e shërbimeve të deputetit të Lushnjës, doli sot para togave të zeza në gjykatën e Fierit,  për t’u njohur me masën e sigurisë.

Leonard Gjini, është personi i vetëm i arrestuar një jave pas shpërthimit të bombolës, ku mbetën të vdekur atë e bir, Roland dhe Lidio Hoxha, u plagosën shtatë të tjerë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale në banesat dhe bizneset pranë.

Në gjykatën e Fierit, në seancën me gjyqtare Dorina Alushi, prokurore të pranishme Elona Gixhari, Lorena Salillari dhe avokat Arben Zaimi, 32-vjeçarit Gjini, i është  dhënë masa e sigurisë “ Arrest me burg”,  për veprën penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë me pasoja të rënda.

I arrestuari nuk e ka pranuar akuzën, me pretendimin se ka lidhur kontratë të rregullt me deputetin për të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën dhe se punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë se ndërtimit që ai ka.

Megjithatë, Gjykata e Fierit e ka mbajtur në burg me arsyetimin se pavarësisht mos fillimit të punës nga kompania Gjini, ai duhet të ndalonte punimet nga të tjerët, pasi vetëm ai ishte i autorizuar me kontratë  ndërtimi. Ndërkohë, avokati i të ndaluarit Arben Zaimi kërkoi vleftësimin e paligjshëm të ndalimit dhe vendosjen e masës së sigurimit garanci pasurore.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA