Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për veprën penale “dhunë në familje” pas denoncimit të Princit Leka.
“Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale ‘Dhuna në familje’, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal“, njofton Prokuroria.
Hetimet kanë nisur edhe për publikimin e videos që u shpërnda gjerësisht në mediat dhe rrjetet sociale një ditë më parë, ku duket një debat i ashpër mes Princit dhe ish-bashkëshortes së tij, Elia Zaharia dhe të atit të saj.
“Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur. Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Princ Leka dhe Elia Zaharia, që janë në proces divorci, pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri, ndërsa ky moment është filmuar edhe me video.
Gjithçka ka nisur kur Princ Leka ka shkuar të takojë të bijën në shtëpinë e tij, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia. Siç rrëfen Princ Leka në dëshminë e tij, në ato momente vajza e mitur ka qenë me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrri i tij, i cili po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë.
Këtë takim të dy e përshkruajnë të dhunshëm, teksa Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.
Madje, në dëshminë e tij, Princ Leka pretendon se është dhunuar me sende të forta si statuja e drurit, ndërsa thotë se ish-vjehrri i ka grisur edhe xhupin në sy të vajzës. Ai thotë se sherri nisi nga ana e Gjergj Zaharia që “ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.
Top Channel