Kjo e enjte shënoi një precedent të ri, por jo të panjohur në librin e historikut parlamentar.
Ligjet e rendit të ditës kaluan mes kakofonisë dhe akuzave për falsifikim të votimit. Kaosi këtë herë ishte numerik dhe nuk e krijuan demokratët.
“Hapim procesin e votimit për prezencën. 68 deputetët ngritën kartonat për të verifikuar prezencën e tyre në sallën e Kuvendit”, tha Ermonela Felaj.
Rregullorja e Kuvendit përcakton se një votim që të konsiderohet i ligjshëm, duhet që në nisje të procesit në sallë të jenë prezent 71 deputetë. Ky moment u shfrytëzua nga opozita, si argument për votim të parregullt dhe deklarimin nul të tij.
“Po falsifikon votimin! Ke 68 deputetë në sallë. Po kryen vepër penale. Po shkel Rregulloren, neni 55 pika 4. Po shkel Kushtetutën”, tha Gazment Bardhi.
Lulzim Basha vetë mungoi, por deputetët e tij zgjodhën të mos regjistroheshin si pjesëmarrës në votim edhe pse ishin prezent fizikisht. E vetëdijshme për numrat që kishte në sallë drejtuesja e seancës Ermonela Felaj, pas çdo ngritje kartoni nuk deklaronte votat me të cilat kalonin ligjet një nga një, mes tyre edhe ai për investimeve strategjike.
FELAJ: Ligji miratohet
GAZI: Me sa vota?
Por, ky nuk ishte lajmi i vetëm. Mazhoranca pas 5 muajsh dha sinjalin e parë për rikthimin e bashkëjetesës normale në Kuvend.
“Ka ardhur koha që ti gjejmë dy fjalë të përbashkëta. Ejani në Konferencën e Kryetarëve të biem dakord për objektet, ejani në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe sillni propozime përmbajtësore .Partinë e bashkuat, udhëheqësit janë bashkë, jeni të fortë e të gatshëm, vazhdoni para dhe zgjidhja është shumë e thjeshtë”, tha Elisa Spiropali.
Gazment Bardhi, i angazhuar edhe personalisht në bisedime me mazhorancën nuk i dha zë pohimit që erdhi nga radhët e socialistëve, por kishte një kërkesë për Presidentin Bajram Begaj.
“Duhet që presidenti i Presidenti të justifikojë rrogën. Sot në drejtimin e seancës nuk ishte Felaj, ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji i investimeve strategjike. Është shumë e rëndësishme që parlamenti ti rikthehet normalitetit”, tha deputeti.
Larg vëmendjes së mediave dhe me bekimin e ndërkombëtarëve Top Channel ka mësuar se negociatat nuk kanë munguar mes përfaqësuesve të të dyja palëve. Sinjalet tashmë janë dhënë dhe rikthimi i Kuvendit në shinat e normalitetit mesa duket është vetëm çështje ditësh.
Top Channel