Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tha se Prokuroria ka thënë se videoja e konfrontimit mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë nuk ka dalë nga ai institucion.
Sipas organit hetues, zarfi në të cilin ndodheshin pamjet filmike ishte i mbyllur.
“Procesi zgjati gjatë, u dëgjuan të gjitha palët, e konsideroj të rrallë, zakonisht gjykata vendos një distancë më të konsiderueshme, çiftet në prag divorci paraqiten në gjykatë në gjendje të agravuar. Nga ajo që kam vërejtur është se po aplikohen kontratat paramartesore. Ata nuk kanë një kontratë paramartesore. Gjykata urdhëron ose largimin, ose distancë 500 metra. Distanca e vendosur mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë është një distancë simbolike, një divorc në prag, vetëm 5 metra, u ka lënë kohë palëve që të depozitojnë prova shtesë për të provuar se janë të dhunuar. Elia Zaharia dukshëm ishte e tronditur, ish bashkëshorti nuk ishte në gjykatë, babai i saj Gjergj Zaharia ishte, hetimi që po ndodh për publikimin e videos është për të vendosur në shinat e duhura çështjen. Prokuroria tha se zarfi, është i pahapur”, tha Hoxha.
Kujtojmë se ende nuk dihet se nga ku ka rrjedhur videoja që u bë virale në rrjete sociale dhe media.
Një ditë më parë, Policia reagoi pas deklaratës së Oborrit Mbretëror, ku theksohej se videot e konfrontimit fizik mes Princit Leka II Zogu dhe Elia Zaharias janë dorëzuar në komisariatin e policisë, si provë për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë kosideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie.
Policia thekson se videoja e shpërndarë në rrjete sociale nuk ka dalë nga strukturat e saj.
Sipas njoftimit, në lidhje me rastin janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
“Në lidhje me një reagim të bërë nga Oborri Mbretëror, ditën e sotme, ju informojmë se: Nga ana jonë në lidhje me rastin janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Po kështu deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë”, sipas njoftimit të policisë.
Në reagim Oborri Mbretëror pretendon se Princ Leka është sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij.
Oborri thotë se videot janë dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë kosideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjell imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune.
“Oborri Mbretëror shpreh thellësishtë zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cënuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë.
Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet.”-thuhet në reagimin e oborrit mbretëror shqiptar”-thuhet në reagimi.
Kujtojmë se Princ Leka dhe Elia Zaharia, çifti mbretëror që është në proces divorci pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri, ndërsa ky moment është filmuar edhe me video.
Top Channel