Gjatë vitit të fundit Kosova ka ndryshuar partnerët tregtarë.

Serbia zinte vendin e parë për vlerën e produkteve në tregun e Kosovës, ndërsa gjatë 2023-shit prezenca e mallrave të saj ka rënë për rreth 50 për qind. Vendin e parë e ka marrë Shqipëria, e pas saj ndodhet Maqedonia e Veriut. Rënia e importit nga fqinji verior është diktuar nga masa e sigurisë, që Qeveria e ka vendosur në qershor të vitit të kaluar, për produktin final.

Produktet serbe kanë humbur primatin në tregun kosovar gjatë vitit të shkuar por edhe në fillim të këtij viti. Derisa në vitin 2022, Serbia ishte partnerja kryesore tregtare nga vendet e CEFTA-s, masat e sigurisë të vendosur nga Qeveria në qershor të 2023-s, e kanë zëvendësuar atë me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, tha se vetëm vitin e kaluar importet nga Serbia kanë rënë për 47 për qind.

“Nga 372 milionë euro importe nga ky vend (Serbia) në vitin 2022, gjatë vitit 2023 ato kanë rënë në 198 milionë euro apo për -47 për qind. Tek partnerët tjerë kryesorë fqinjë, vërehet një rritje e ndjeshme e importeve nga Shqipëria me +28 për qind krahasuar me vitin 2022, si dhe nga Maqedonia e Veriut me +10 për qind”, tha Hasaj.

Rritje të importeve, Hasaj ka thënë se ka pasur edhe nga Gjermania, Kina dhe India. Ai këtë e ndërlidh me importin e produkteve të naftës. Bazuar në të dhënat e Doganës, rënie të importit nga Serbia ka pasur edhe në fillim të këtij viti. Për dy muaj janë importuar mallra në vlerë 13 milionë euro.

Bazuar në të dhënat e Doganës, rënie të importit nga Serbia ka pasur edhe në fillim të këtij viti. Për dy muaj janë importuar mallra në vlerë 13 milionë euro.

Viteve të fundit Kosova ka pasur rritje të importeve nga Shqipëria. Sipas të dhënave të Doganës, më 2022 janë importuar mallra në vlerë 255 milionë euro, ndërsa vjet janë importuar rreth 326 milionë euro.

E, sipas të dhënave të Institutit GAP, gjatë vitit 2023 ka pasur rritje të importit edhe nga India, për 529 për qind.

Nga 46 milionë euro sa ishte vlera e mallrave të importuara në 2022, vitin e kaluar kjo vlerë është rritur në mbi 292 milionë euro.

Edhe nga Gjermania ka pasur rritje të importit për 23 për qind, apo 140 milionë euro më shumë, si dhe nga Kina për 19 për qind, në atë që nënkupton se në tregun kosovarë hynë mallra kineze në vlerë 102 milionë euro më shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA