Një inspektor i komisariatit nr1 në Tiranë ka dorëzuar një shkresë zyrtare pranë Pallatit Mbretëror, ku njoftonte se grupi hetimor kërkon të administrojë pamjet e kamerave të sigurisë.
Grupi hetimor kërkon pamjet për të hedhur më tepër dritë për konfliktin fizik mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë pasditen e 5 marsit.
Pas publikimit të videos së përplasjes fizike të një dite më parë mes Princit Leka dhe bashkëshortes së tij në proces divorci, Elia Zaharia, çifti është përballur sot në Gjykatën e Tiranës.
Gjykatësi i dhomës civile ka pranuar kërkesën për urdhër-mbrojtje nga njëri-tjetri të Elia Zaharias dhe Princ Lekës. Vendimi u dha nga gjyqtari Artan Haradinaj. Mësohet se gjykatësi ka urdhëruar që Princi Leka mund ta takojë vajzën e vogël 3 vjeçare vetën në prani të dados. Ndërkohë që çifti duhet të mbajë distancë 5 metra nga njëri-tjetri.
Princ Leka dhe Elia Zaharia, që janë në proces divorci, pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri, ndërsa ky moment është filmuar edhe me video.
Gjithçka ka nisur kur Princ Leka ka shkuar të takojë të bijën në shtëpinë e tij, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia. Siç rrëfen Princ Leka në dëshminë e tij, në ato momente vajza e mitur ka qenë me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrri i tij, i cili po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë.
Këtë takim të dy e përshkruajnë të dhunshëm, teksa Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.
Madje, në dëshminë e tij, Princ Leka pretendon se është dhunuar me sende të forta si statuja e drurit, ndërsa thotë se ish-vjehrri i ka grisur edhe xhupin në sy të vajzës. Ai thotë se sherri nisi nga ana e Gjergj Zaharia që “ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.
Oborri Mbretëror reagoi duke kërkuar nga policia fshirjen e pamjeve, ndërsa vetë policia tha se po hetohet se kush i ka publikuar pamjet e dhunës, të filmuara nga vetë Princ Leka.
Prokuroria ndërkohë ka nisur hetimet për dhunë në familje.
Top Channel