Një pedagog në një shkollë mjekësore në Bangladesh është pezulluar, pasi dyshohet se ka qëlluar dhe plagosur një student në një klasë.
Raihan Sharif u arrestua pas kësaj, por u pezullua vetëm të mërkurën pas një proteste të studentëve nga kolegji mjekësor ku ndodhi incidenti.
Studenti i plagosur i është nënshtruar një operacioni dhe ndodhet në spital. Dr Sharif është marrë në paraburgim nga policia. BBC nuk është në gjendje të kontaktojë me të për koment derisa t’i caktohet një avokat.
Mediat lokale raportojnë se Arafat Amin Tomal, një student 23-vjeçar në një kolegj mjekësor në Sirajganj, në veri-perëndim të Bangladeshit, debatoi me Sharif ndërsa po mbante një provim të hënën. Gjatë provimit, Sharif dyshohet se nxori një armë dhe ia drejtoi studentit, duke e qëlluar atë në gjurin e djathtë, thonë raportet.
Thuhet se plumbi goditi telefonin celular të Amin, në xhepin e pantallonave të tij, gjë që i shpëtoi atij lëndime të rrezikshme për jetën, sipas gazetës në Bangladesh, Daily Star.
Sipas Dhaka Tribune, në klasë kanë qenë 45 studentë kur ka ndodhur ngjarja. Ata nxituan për të ndihmuar, mbyllën mësuesin në një dhomë dhe thirrën policinë.
Në një deklaratë, policia tha se Sharif “qëlloi studentin me një pistoletë të paligjshme”. Arma e tij si dhe një pistoletë e dytë, me 81 fishekë, katër karikatorë, dy thika dhe 10 kamë, të cilat u gjetën në çantën e tij, u sekuestruan.
Ngjarja ka tronditur Bangladeshin dhe ka shkaktuar një zemërim pasi mësuesi u pezullua detyra vetëm dy ditë pasi ndodhi incidenti, pavarësisht arrestimit të tij nga policia.
Pezullimi i tij u shkaktua nga protesta e studentëve në fakultetin e mjekësisë, të cilët kërkuan shkarkimin e tij të menjëhershëm dhe dënimin e rëndë. Policia tha se ishte formuar një komision i posaçëm për të hetuar rrethanat e incidentit. Incidente të tilla janë të rralla në Bangladesh, ku zotërimi dhe përdorimi i armëve rregullohen rreptësisht nga qeveria. /BBC
Top Channel