Fredi Beleri shpallet fajtor për blerje votash! Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës dënohet me dy vite heqje lirie

05/03/2024 22:45

Kryebashkiaku i zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u shpall fajtor për blerje votash dhe u dënua me dy vite heqje lirie nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ndërsa për bashkëpunëtorin e Belerit, Pandeli Kokaveshi, u vendos tri vite shërbim prove. Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.

Avokati mbrojtës i Fredi Belerit, në një deklaratë për mediat, në përfundim të seancës, që u ndoq nga dhjetëra mbështetës, u shpreh se vendimi ishte politik. Sipas tij, porositës i këtij vendimi ishte kryeministri Edi Rama.

“Ju e dëgjuat diskutimin përfundimtar të Fredi Belerit. Gjyqtari e ndërpreu diskutimin e Blerit, për të transmetuar tensionin që ishte jashtë këtij procesi. Ju e patë si bërtiste, si i ndërpreu fjalën Belerit. Ishte vendim politik, sikurse e porositi kryeministri. Aktet proceduriale janë të gjitha të falsifikuara. Beleri u ndoq për katër ditë, pa vendim prokurorie”, tha avokati.

Para se të shpallej vendimi, kryebashkiaku i Himarës lexoi deklaratën përfundimtare, ku pretendoi se ishte nën presion nga togat e zeza. Sipas Belerit, provat dhe faktet kundër tij, nuk janë verifikuar.

“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë gjatë gjyqit, ky është presion. Ky hetim dhe këto akuza janë sajesa qesharake. Këto konkluzione nuk mund të merren parasysh, dosja nuk ka fakte ndaj nuk kam kërkuar gjykim të shkurtuar. Të gjitha gjetjet e Prokurorisë kundërshtohen nga avokatët e mi. Herët a vonë, e vërteta do dalë një ditë. Jam përgjuar 24 orë në ditë, provat nuk përputhen. Në të njëjtën kohë që thuhet se Arseni ka folur me mua, ai ishte në komisariatin e Vlorës. Prokuroria duhet të verifikonte faktet. Gjykata e Apelit pranoi të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe asnjë kërkesë timen. Një ndër to t’i kërkonte informacion gjykatës së Vlorës. Kjo është një çështje politike, me mua u shkelën të gjitha parimet edhe prezumimi i pafajësisë. U tejkaluan kompetencat. Kërkesa e prokurorisë për 2.6 vjet burg nuk ka asnjë logjikë. Për dy kryetarë bashkie ka kërkuar shërbim prove. Sa herë të ketë zgjedhje rezultati do jetë i njëjtë, himarjotët nuk janë budallenj. Është e padrejtë që kësaj çështjeje t’i jepet kuptim patriotik. Jam besimplotë nuk e ndjej veten fajtor. Herët a vonë do gjej drejtësi. Sot duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, të tjerët janë kalimtarë dhe besnikë të partisë. Dy prokurorët do t’i gjykojë historia”.

Deklarata e plotë e Belerit në gjykatë

Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë duke blerë votat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA