Përurohet shkolla e re në Vaqarr, Veliaj: Fillojmë lotin tjetër të shkollave në kryeqytet! Manastirliu: Nga korriku, rritje e konsiderueshme pagash për mësuesit

05/03/2024 15:45

Vaqarri nuk është thjesht një lagje e Tiranës, vetëm pak minuta larg Unazës së Madhe, por tani ka edhe një shkollë të re me hapësira moderne.

Rreth 600 nxënës të kësaj zonë do të mësojnë në shkollën e re të bashkuar “Bedri Llagami”, e cila u çlirua edhe nga zaptimet gjatë viteve të tranzicionit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, inspektuan përfundimin e punimeve, teksa theksoi se kjo shkollë do të shërbejë dhe si epiqendër e aktiviteteve komunitare.

“Të sigurohemi që kjo epiqendër të shërbejë edhe si një horizont për fëmijët. Nuk kemi ndërtuar vetëm ca mure me llaç e tulla apo xhama e dritare, kemi ndërtuar një komunitet. Patjetër, Tirana ofron shumë, por unë besoj se për çdo prind, të pasurit e fëmijës tek oborri i shkollës, tek një mjedis i sigurt, ofron një garanci të jashtëzakonshme sigurie. Sot, në terma të metrave katrorë, ne kemi një sipërfaqe trualli 6700 metra katrorë, një gjurmë 1900 metra katrorë, kurse 4400 metra katrorë është kjo shtëpi e madhe që quhet shkolla “Bedri Llagami” dhe një zonë e gjelbër 1600 metra katrorë. Ajo që do të ndodhë këtu, pas këtyre metrave katrorë, ajo do prodhojë frymëzim”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se puna për ndërtimin e institucioneve të reja arsimore do të vijojë edhe në zona të tjera, si tek Astiri, në Sauk dhe në zonën “Ali Demi”.

“Në këtë partneritet 50 me 50, pra gjysmën qeveria dhe gjysmën bashkia, ne do të fillojmë 4 shkolla tek Astiri, në të dyja anët e Lanës; aty ku do të fillojë edhe rehabilitimi i Lanës, tani që Unaza mbaroi, aty ku humbëm tre vite shumë të çmuara. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe tek zona e Liqenit të Thatë, njëra nga ana e Kopshtit Botanik, tjetra nga Parku Olimpik. Të njëjtën gjë do të bëjmë në Sauk, aty ku një pjesë e madhe e presionit përfundon deri te shkolla “Ismail Qemali”. Kemi përgatitur dy terrene, një tek Akademia e Policisë dhe tek zona që njihet si ish-spitali i Arabit, kurse pjesa tjetër është te kompleksi “Mangalem”, aty ku është Kryegjyshata e Bektashinjve. Pra, të sigurohemi se në këto dy prurje, që vijnë nga rruga e “Elbasanit” dhe nga rruga “Ali Demi”, të ndalojmë presionin mbi shkollën “Ismail Qemali”. Këto dy kampuse të rinj zgjidhin përfundimisht shkollat me dy turne në Tiranë dhe hapim një kapitull të ri”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi shoqatat dhe ekipet sportive që të aplikojnë për të shfrytëzuar mjediset e këtyre shkollave për aktivitete pas mësimit.

“Do më jepte shumë kënaqësi nëse shkolla nuk mbyllet në orën 13:00 dhe vazhdon si qendër komunitare. Mund të jetë një kurs kompjuteri, një kurs muzike, një kurs pikture, një kurs kënge dhe valle që zona, tradita i ka me shumë bujari. Mund të jetë një takim me komunitetin. Do të donim shumë që kjo hapësirë të shfrytëzohej maksimalisht. Shpresoj shumë që, edhe me ndihmën tonë, me aktivitete që edhe ne mund të financojmë, ne mund ta mbushim këtë me jetë”, theksoi Veliaj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vlerësoi Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e kësaj shkolle, e cila plotëson standardet më të larta, duke ofruar edhe terrene sportive dhe laboratorë mësimor. Manastirliu nënvizoi se për ciklin 2024-2025 do të jenë 100 shkolla, të cilat do të rehabilitohen dhe modernizohen.

“Jam e bindur që kjo shkollë nuk e përmbyll të gjithë atë zotim që ne kemi bërë përsa i përket modernizimit të infrastrukturës shkollore. Për ciklin 2024-2025 do të jenë 100 shkolla, të cilat ne do të mundet që t’i përfundojmë nga pikëpamja e rehabilitimit dhe modernizimit infrastrukturor. Tashmë po përmbyllim dhe vlerësimin për thirrjen e hapur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, përsa i përket mbështetjes për infrastrukturën arsimore për të gjitha bashkitë e vendit. Shumë shpejt do të kemi edhe shkolla të reja ku fillon puna edhe për vitin e 2024-2025”, tha ajo.

Manastirliu u shpreh se krahas përmirësimit të infrastrukturës, paralelisht do të vijojë dhe mbështetja financiar dhe zhvillimi profesional i mësuesve.

“Tashmë ju e dini që viti 2024, duke filluar nga muaji korrik, do të jetë viti ku për mësuesit do të kemi rritjen e konsiderueshme të pagave. Patjetër, një rritje tejet e merituar për të gjithë punën profesionalizmin tuaj, angazhimin tuaj, sakrificat tuaja, në shërbim të fëmijëve tanë, për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët nëpërmjet angazhimit tuaj. Por, nëse rritja e pagave ka një rëndësi patjetër tejet të madhe për ju për të gjithë ne nga ana tjetër edhe edukimi në vazhdim, zhvillimi juaj profesional për ne ka një rëndësi shumë të veçantë. Duke përfshirë përgjatë gjithë këtij viti 4 mijë mësues të cilët do të trajnohen për shkenca, gjuhën dhe teknologjinë dhe duke iu mbështetur për të rritur rezultatet, por gjithashtu dhe për të bërë që nxënësit tanë të kenë arritje më të larta dhe të vazhdojnë të zhvillohen dhe të mbështetet pikërisht nga ju pra mësuesit e tyre”, deklaroi Manastirliu.

Shkolla e bashkuar “Bedri Llagami” në Vaqarr ofron edhe 5 klasa për parashkollorët, 20 klasa për nivelin 9-vjeçar; bibliotekë, laboratorë, dhomë për shërbim mjekësor si dhe ambiente ndihmëse e sportive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA