Elon Musk dënonte sot fajtorët duke i quajtur ‘budallenj ekstem’ pas zjarrvënies në fabrikën e prodhimit të makinave elektrike Tesla në Gjermani.
Fabrika e Tesla pranë Berlinit ka ndaluar tashmë punën pas evakuimit të punonjësve, prej ndërprerjes së energjisë elektrike që dyshohet se është shkaktuar me zjarrvënie.
Ministria e brendshme e shtetit gjerman të Brandenburg, ku ndodhet impjanti, tha se persona të paidentifikuar kishin djegur qëllimisht një shtyllë të tensionit të lartë dhe se zyrtarët po hetojnë për rrethanat e ngjarjes.
Policia shtonte se ka një marrje të përgjegjësisë me email për aktin, e cila po ekzaminohet, sipas mediave gjermane.
Një grupim i majtë i quajtur ‘Volcano Group’ ka marrë përgjegjësinë teksa në email akuzonte Tesla “kushte ekstreme shfrytëzimi” dhe bënte thirrje për “shkatërrim të plotë të fabrikës gjigante.” Nuk është ende e qartë kush e ka dërguar email-in apo kush janë anëtarët e grupit.
Duke iu referuar sulmuesve të mundshëm Musk shkruante sot në rrjetin X, më parë Twitter, se “këta janë eko-terroristët më budallenj, që nuk dinë çfarë objektivash mjedisore kanë”.
Ai vazhdonte më tej: “Ndalimi i prodhimit të makinave elektrike është budallallëk”, shtonte ai.
Zhvillimi vjen teksa pranë fabrikës në fjalë ka pasur dhe më parë protesta kundër planeve të zgjerimit të saj.
Aktivistët gjermanë të protestës ‘Stop Tesla’ kishin ngritur tenda e kampe disa metra larg fabrikës, në stilin e përdorur shpesh në protestat mjedisore në Gjermani.
Zjarri mëngjesit të sotëm shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrikë në zonë por rryma u rivendos pas disa orësh, thanë autoritetet.
Fabrika Tesla është hapur në mars 2022, duke nisur një sfidë për prodhuesit e njohur gjermanë të makinave në vendin e tyre.
Kompania në zonën pyjore kërkon të zgjerohet duke marrë dhjetra hektarë të tjerë nga parku natyror.
Në një votë në shkurt banorët e zonës refuzuan planet e Tesla dhe tashmë presin miratimin e autoriteteve.
Top Channel