“Zgjedhësit duan të dëgjojnë për hallet e tyre, jo bilbilat tuaj”, Nikolla thirrje opozitës të mos bllokojë seancën: Uluni të vijojmë normalisht

04/03/2024 17:14

Ka nisur me tensione seanca e sotme plenare në fokus të të cilës kanë qenë problematikat e zgjedhësve.

Edhe sot, opozita ka vendosur bllokimin e punimeve të Kuvendit përmes skenarëve të kaosit dhe zhurmuesve. Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla u ka tërhequr vëmendjen disa herë deputetëve të opozitës duke u bërë thirrje të ulen për vijimësinë normale seancës, por pa rezultat, ndërsa deputetët e Rithemelimit dhe grupit Bardhi me pankarta në duar i janë afruar foltores së Kuvendit.

“Hapim seancën plenare. Garda ju lutem largohuni. Sot në rend dite kemi miratimin e procesverbalit të seancës plenare datë 22/02/2024. Njoftime, diskutime për çështjet e evidentuara nga zgjedhësit. Fillojmë me miratimin e procesverbalit të seancës plenare kolegë. Sot është një ditë dedikuar zgjedhësve. Zgjedhësit duan të dëgjojnë për shqetësimet e tyre, jo bilbilat. Procesverbalin e kemi marrë në rrugë elektronike ka ndonjë deputet vrejtje? Nuk ka, miratohet”- tha Nikolla, duke vijuar më tej procedurat nën zhurmën e bilbilit.

“Të nderuar kolegë ju bëj thirrje edhe njëherë. Ju lutem zini vendet tuaja dhe të vazhdojmë diskutimin e çështjeve të evidentuara nga zgjedhësit. Zgjedhësit duan të dëgjojnë për hallet dhe shqetësimet e tyre, jo bilbilat tuaj”- u shpreh kryeparlamentarja, për t’i dhënë më pas fjalën Edona Bilalit, e cila për shkak të lëmshit të krijuar në Kuvend ka folur nga vendi.

Top Channel