Përfundoi udhëtimin në BBV3 brenda pak orëve, avokati i Liam Osmanit: E paimagjinueshme që autoritetet shqiptare…

04/03/2024 12:27

Liam Osmani një ish-finalist që u rikthye në Big Brother Albania Vip 3 me synimin për ta fituar atë, e përfundoi rrugëtimin e tij pak orë pasi hyri në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.

44-vjeçari u detyrua të lërë shtëpinë më të ndjekur në vend për shkak të telasheve me drejtësinë. Gjykata e Tiranës kishte dhënë një vendim dhe e ka dënuar në mungesë me2 vite e 6 muaj burg për veprën penale të “Mashtrimit”. Sipas policisë, Liam Osmani në vitin 2019, përvetësoi përmes mashtrimit 19 bileta turistike për në Gjermani me vlerë 6 mijë euro, për të cilat nuk kreu asnjë pagesë.

Dënimi ndaj ish konkurrentit të Big Brother ishte dhënë në vitin 2022.  Por ai u ekzekutua nga Policia gjatë momentit që 44-vjeçari u bë pjesë e shtëpisë së Big Brother. Menjëherë pas shoqërimit të Liamit nga uniformat blu, banorëve iu komunikua largimi i tij, përmes një zarfi të kuq që u lexua nga konkurrentja Sara Gjordeni.

Disa orë pas arrestimit reagoi dhe avokati i Liam Osmanit, Dritan Shehaj i cili tha se klienti i tij nuk e ka kryer këtë vepër penale dhe se nuk kishte dijeni për procesin ndaj tij dhe nuk është thirrur kurrë nga autoritetet.

Sipas tij Liam Osmani është një shtetas gjerman, qe jeton dhe punon në Keln, Gjermani, në një nga spitalet e këtij qyteti, dhe është e paimagjinueshme që organet ligjzbatuese të shtetit shqiptar, të mos t’i drejtohen asnjëherë autoritete gjermane për ta kërkuar, për ta njoftuar, për ta thirrur, për të dhënë shpjegime, për ta vënë në dijeni të akuzave që janë ngritur ndaj tij, për ta degjuar perpara se te nxirrnin konkluzionet perkatese, dhe perpara se ta dënonin në mungese, dhe nxitimthi.

Top Channel