Vështirësitë e invalidëve, historia e Spartak Bixhakut që humbi këmbën gjatë punimeve në kopsht: Kam vështirësi…

03/03/2024 12:29

Spartak Bixhaku sot 70 vjeç prej 8 vitesh jeton me vështirësitë e jetës së një personi me aftësi të kufizuara.

Pas një aksidenti që pati duke punuar në kopshtin e tij, Spartaku humbi njërën këmbë. Ai tregon se përveç vështirësisë ekonomike që i ka krijuar kjo situatë, ka probleme të shumta që lidhen me lëvizjen për të aksesuar shërbimet. Ai jeton në lagjen Cfakë një prej lagjeve historike të Gjirokastrës që për nga vendosja dhe terreni ja redukton edhe më shumë komunikimin me qytetin.

“Isha punëtor në Greqi 25 vjet. Erdha pastaj se thashë u rregullua gjendja. Punoja në kopshtin tim. Atje u aksidentova me një makineri, preva këmbën në spitalin ushtarak në Tiranë. Jam 70 vjeç me punën që kisha 20 vjet marr vetëm 100 mijë lekë dhe me ato rroj. Më kanë blerë fëmijët një karrocë dhe me atë përpiqem. Edhe ato pak rampa që ka në qytet i zënë makinat. Do presim ti heqin ata që të kalojmë ne kurse në zonën muzeale nuk kanë vënë fare”, u shpreh Spartak Bixhaku.

Vjollca Koko mjeke njëherazi drejtuese e shoqatës së personave me aftësi të kufizuara në Gjirokastër flet për vështirësitë e shumta të kësaj shtrese të popullsisë dhe progresin e paktë që është bërë sidomos lidhur me të drejtat e tyre për të marrë shërbime dhe për dinjitet njerëzor kur flitet për edukimin, shëndetësinë dhe në tërësi për përfshirjen sociale.

“Të parën vështirësi që ne ndeshemi është aksesi në rrugë dhe institucione. Të gjithë ata që ofrojnë shërbime për publikun janë të detyruar të marrin një plan masash për të eliminuar barrierat. Ajo që na shqetëson ne është lejimi i këtyre projekteve pa standarde. Një mungesë tjetër është edhe mungesa e shërbimeve. Nëse je person me aftësi të kufizuar nuk ke asnjë shërbim nuk ke shërbim rehabilitimi as në spital dhe as qendra komunitare”, u shpreh Vjollca Koko.

Plotësimi i lehtësirave në infrastrukturë rrugore dhe ndërtesa publike e private është sipas znj Koko detyrim ligjor e një prej kërkesave bazë të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara fizike. Situata për zonat rurale është edhe më kritike. Shoqata gjithashtu nënvizon se ka shkelje të ligjit edhe sa i takon detyrimit për punësimin e personave me aftësi të kufizuar.

Shumica e invalidëve për shkaqe komplekse jetojnë nën minimumin jetik, dhe nuk janë të përjashtuar nga taksat.

 

Top Channel