Berisha “rithemelon” Rithemelimin, Bardhi dhe Gjekmarkaj bëhen nënkryetarë! Ja cilët deputetë futen automatikisht në Kryesi

02/03/2024 21:15

Me një lëvizje më shumë taktike sesa politike, Sali Berisha ka vendosur të “shpërblejë” Gazment Bardhin dhe deputetët që e ndjekin me poste në partinë që ai drejton  nga shtëpia e tij. 

Të martën, Rithemelimi pritet të miratojë ndryshimet statutore që i hapin dyert e Kryesisë për deputetët që kanë vendosur te rikthehen në shtëpi, pasi njohën Sali Berishë si kryetar. Mekanizmi i gjetur për të përfshirë grupin Bardhi në forumet e  Rithemelimit është përfshirja në Kryesi e funksioneve që deputetët mbajnë në Parlament një formulë e njohur për demokratët, pasi e njëjta zbatohet edhe nga Lulzim Basha.

Lideri i Rithemelimit ka vendosur që nga dy nënkryetarë, të bëhet me katër. Krahas Luçiano Bocit dhe Oerd  Bylykbashit, numrin dy të partisë do e gëzojë edhe Gazment Bardhi për shkak te funksionit si kryetar grupit. Të njëjtin fat do të ketë edhe Agron Gjekmarkaj, i cili për shkak të postit të nënkryetarit të Kuvendit do të gëzojë edhe atë të nënkryetarit të partisë.

Sali Berisha ka vendosur ta zgjerojë Kryesinë, duke përfshirë në të edhe drejtuesit e Komisioneve Parlamentare, duke tentuar të “joshë” me post edhe Jorida Tabakun, e cila ka vendosur të ecë në një rrugë të kundërt me grupin, duke mos e njohur liderin e Rithemelimit si kryetar.

Emra të tjerë të grupit Bardhi, do të afrohen nga Berisha në strukturat e Rithemelimit. Ervin Salianji do të futet në Kryesi, falë postit që ai mban si zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar, ndërsa Zheni Gjergji për shkak të postit si kryetare e Komisionit të Shëndetësisë automatikisht bëhet pjesë e këtij forumi.

Ndryshimet statutore më parë do të marrin bekimin e Kryesisë të martën dhe në të njëjtën ditë, do të konfirmohen edhe në Këshillin Kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA