Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, do të humbasë një ndeshje tjetër në Premier League për shkak të lëndimit, por synon një rikthim javën e ardhshme, kur “The Reds” të luajnë në Europa League, në Pragë, përballë Spartës së Qazim Laçit e Indrit Tucit, përpara se të presin Manchester City-n në përballjen që mund të vendosë shumë sa i përket titulli të Premier League-s.
Salah dëmtoi tendinën e gjurit ndërsa merrte pjesë me Egjiptin në Kupën e Kombeve të Afrikës, në janar, dhe ka luajtur vetëm një herë që atëherë, në fitoren 4-1 ndaj Brentfordit, më 21 shkurt.
Liverpooli nuk specifikoi nëse problemi aktual ka lidhje me tendinën e gjurit, por Salah u përjashtua nga ndeshja kundër Nottingham Forestit, të shtunën.
“Unë nuk mendoj se Mo është shumë larg kthimit, por ai nuk do të jetë atje nesër”, tha trajneri Jurgen Klopp këtë të premte. “Mendoj se ai patjetër duhet të kthehet javën e ardhshme, por nuk është ende gati,” shtoi ai.
Top Channel