Prej vjeshtës së shkuar salla e Parlamentit është bërë dëshmitar i skenave të sherrit dhe kaosit.
Por, larg zhurmës së bilbilave dhe tymit të flakadanëvë dhe me praninë e ndërkombëtarëve demokratët dhe socialistët arrijnë të flasin me qetësi. Një sjellje të tillë ambasadori i BE-së pret ta shohë edhe në Parlament.
“Kam qenë dëshmitar sesi politikanët shqiptarë nga parti të ndryshme politike u angazhuan në diskutime dhe debate lidhur me rolin e Kuvendit në procesin e negociatave me BE-në. Me urgjencë, diskutime të ngjashme duhet të nisin në Kuvend për të rivendosur funksionimin normal të tij. Ky është një nga kushtet bazë për anëtarësimin e vendeve në BE”, tha ambasadori.
“Të gjithë aktorët ndërkombetarë kanë të njëjtin mesazh, kthim në normalitet, kthim tek dialogu, dhe dinamizim të situatës me detyrime ndaj BE. Nuk vijnë ndërkombëtarët për të na i zgjidhur problematikat tona. Nëse ne krahasojmë Ukraina është në luftë dhe ka Parlament shumë më funksional sesa Shqipëria”, deklaroi Afrim Krasniqi-drejtues i Institutit të Studimeve Politike.
Afrim Krasniqi drejtues i Institutit të Studimeve Politike, njëherësh mikpritës i takimit që bëri bashkë të majtë dhe të djathtë iu kishte vendosur të ftuarve mbi tavolinë një raport kritik mbi rolin e Parlamentit në procesin e Integrimit, ku palët u ndanë në qëndrime. Socialistët problemin e shohin tek sjellja rebele e demokratëve.
“Bojkoti dhe aktet që s’kanë të bëjnë fare me parlamentarizmin janë një rrugë që s’të çojnë askund. Duhet të ketë një reflektim të thellë në radhët e opozitës dhe uroj që më herët sesa vonë t’i rikthehen punës në komisione dhe ballafaqimit në seanca përmes forcës së fjalës dhe argumentimit të ideve. Flakadanët dhe zhurmuesit nuk prodhojnë politikë, nuk janë alternativë dhe s’ka se si e ndihmojnë as procesin e integrimite të BE”, tha Toni Gogu.
Por, Jorida Tabaku e cila mban një qëndrim të moderuar në Parlament ka një tjetër lexim .
“Sot Parlamenti ndodhet në një udhëkryq, kërkesa është për të dy palët, palët të njohin se Parlamenti ka disa funksione duke nisur nga Komisionet hetimore tek gjithëpërfshirja. Kjo është një rrugë ku mazhoranca duhet të ulet me këmbë në tokë dhe të kuptojë që ky proces nuk kërkon, as arrogancë, as gjithëpushtetshmëri por kërkon një debat konstruktiv në Parlament. Kjo nuk është në dorën e ndërkombëtarëve por është në dorën tonë“, tha ajo.
E ndërsa ndërkombëtarët janë pritje që politika t’i zgjidhë vetë hallet e saj, nuk kanë nguruar të japin mesazhe që palët t’i zgjidhin ndasitë me dialog.
Top Channel