Pas ndryshimit të dëshmisë së Hygertës që mori përsipër vrasjen e babait, grupi hetimor shprehet i bindur se nuk ka dyshime mbi autorësinë e krimit.
Të paktën nga veprimet proceduriale të deritanishme rezulton se vrasësi i dyshuar është Hysen Meta, djali i madh i Pëllumbit. E vetmja gjë ende e paqartë për grupin hetimor mbetet motivi kryesor i krimit. Gjithsesi dhuna në familje, qoftë dhe vetëm ajo psikologjike, e shoqëruar me episode dhune fizike të herëpashershme ndaj nënës, siç dëshmohet vetëm nga Blerina dhe vajza e saj e arrestuar, konsiderohet motiv që ka nxitur frymën e urrejtjes ndaj babait duke çuar në planifikimin e vrasjes së tij.
Pesha e përgjegjësisë nga dëshmitë dhe provat e deritanishme bie mbi Hysen Metën dhe motrën e tij Hygerta. Të dy kanë qenë të pranishëm në krim, por roli i nënës së tyre Blerina Metës, konsiderohet kyç në këtë ngjarje kriminale.
Vrasja e Pëllumb Metës ka ndodhur në datën 10 shkurt, ku djali i madh Hyseni pas tre ditësh ka bërë denoncimin për zhdukjen e tij. Pëllumbi u vra në një dhomë të shtëpisë, e më pas u gropos në kasollen e lopës që ndodhej ngjitur me shtëpinë.
Top Channel