Nga Eduard Zaloshnja

Qysh nga fundi i dhjetorit, Kryeministri Rama ka trumbetuar shpesh shifrën “10 milionë turistë”, si në deklaratat e tij brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit. Ky trumbetim i tij bazohet në të dhënat e sistemit TIMS, i cili ka regjistruar më 2023 mbi 10 milionë hyrje me pasaporta të huaja në kufijtë tanë. Po a mund të konsiderohen këto 10 milionë hyrje si “10 milionë turistë”?

Një shtetas i Kosovës, fjala vjen, mund ta ketë vizituar vjet Shqipërinë në 2-3 të shtuna, dhe pasaporta e tij është regjistruar 2-3 herë si hyrje në sistemin TIMS. Por ai thjesht është vetëm 1 turist që ka kaluar 2-3 net në Shqipëri.

Një shtetas malazez apo maqedonas, fjala vjen, mund të bëjë 2-3 hyrje për dreka në Shkodër apo Pogradec, dhe pasaporta e tij është regjistruar 2-3 herë si hyrje në sistemin TIMS. Por ai nuk mund të llogaritet si “2-3 turistë”.

Një shtetasi të Kosovës që kalon tranzit për të pushuar në Ulqin, fjala vjen, i regjistrohet hyrja 2 herë në sistemin TIMS – një herë në Morinë, kur niset për pushime, dhe herën tjetër në Muriqan, kur kthehet nga pushimet ulqinake. Pra, ai nuk mund të quhet “2 turistë” në Shqipëri.

Një shtetas italian, grek, gjerman, apo amerikan që banon këtu (ka plot emigrantë që janë kthyer përfundimisht në mëmëdhe pas marrjes së shtetësisë në vendet e emigrimit) mund të shkojë për pushime diku jashtë Shqipërisë. Dhe kur kthehet, TIMS-i e regjistron si shtetas i huaj që futet këtu. Por ai nuk mund të quhet një turist që po viziton Shqipërinë.

Shumë shtetas kosovarë, maqedonas apo malazezë mund të vijnë në aeroportin e Tiranës për të fluturuar drejt destinacioneve që nuk ofrohen në aeroportet e tyre përkatëse. Dhe të gjithë këta regjistrohen në sistemin TIMS si shtetas të huaj që futen në Shqipëri. Por ata nuk mund të quhen turistë në Shqipëri.

Në qoftë se të dhënat e hollësishme të sistemit TIMS do të ishin publike, mund të identifikonim qindra-mijra raste si të shembujve të mësipërm. Por sado që hollësira të tilla nuk publikohen, të paktën INSTAT-i jep detaje mbi shtetësinë e pasaportave të huaja që janë regjistruar në hyrjet e sistemit TIMS.

Nga këto detaje të INSTAT-it, mësojmë se plot 43.3% e hyrjeve ishin vjet me pasaportë kosovare, 9.4% me pasaportë italiane, 7.3% me pasaportë maqedonase, 6.6% me pasaportë greke, 6.3% me pasaportë malazeze dhe 3.1% me pasaportë gjermane (shihni grafikun shoqërues). Në total, nga mbi 10 milionë hyrjet e regjistruara të pasaportave të huaja, plot 76% i përkisnin vendeve të mësipërme, që dihet se kanë koncentrim të lartë të shqiptarëve me pasaporta joshqiptare.

Edhe pse nuk mund të analizohet dot se sa nga hyrjet me pasaporta të huaja mund të përkthehen në numër turistësh që kanë vizituar Shqipërinë, përqindjet e mësipërme përbëjnë një indicie të fortë se tek ne ende vazhdon të mbizotërojë turizmi patriotik.

Që turizmi aktual të marrë përmasa të gjera multietnike, duhet një strategji e mirëmenduar e Ministrisë së Turizmit dhe Ministrisë së Ekonomisë e Kulturës, si në marketingun ndërkombëtar, edhe në krijimin e kushteve të këtushme për tërheqjen e turistëve nga etni sa më të ndryshme.

Shënim: Teksa nuk mund të llogaritet me saktësi numri i turistëve të huaj më 2023, mund të thuhet pa frikë statistikore që ai numër duhet të jetë rritur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë – flet vetë fakti që vjet u regjistruan mbi 10 milionë hyrje me pasaportë të huaj në sistemin TIMS, nga vetëm 7.5 milionë që u regjistruan parvjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA