Buxheti u rrit nga pagat! 10.8 mld lekë më shumë do të kalohen për porte, hekurudha e ujësjellësa

23/02/2024 19:52

10.8 miliardë lekë më shumë të ardhura pritet të ketë buxheti i këtij viti. 

Gati 75% e këtyre fondeve kanë ardhur nga rritja e kontributeve për sigurimet shoqërore si pasojë e rritjes së pagave, ndërsa pjesa tjetër pritet të vijë nga tatimi mbi fitimin e bizneseve.

Rritja e të ardhurave është rialokuar për investime publike. Në aktin normativ 10.2 miliard lek janë shtuar me financim të brendshëm, ndërsa fondet e huaja janë ulur me 4 miliardë lek.

Porti i ri tregtar në Porto Romano, i parashikuar fillimisht për tu ndërtuar me financim të huaj, do të marrë 9.8 miliardë lekë nga fondet buxhetore gjatë këtij viti, ndërsa shuma është shtuar me 1.1 miliardë lek me aktin e fundit normativ.

Gjithashtu transporti rrugor dhe hekurudhor, si dhe ujësjellës-kanalizimet kanë marrë nga 1 miliardë lekë shtesë. Fondit shqiptar të zhvillimit i janë shtuar 2 miliardë lekë në zërin e programeve të zhvillimit.

Ministria e sapokrijuar e ekonomisë, kulturës dhe inovacionit vjen me një buxhet të madh për 51.1 miliardë lekësh. Arti dhe kultura nën këtë dikaster i janë caktuar 3.44 miliardë lekë. Financimi i funksioneve të tjera për sigurimet shoqërore, tregun e punës, arsimi profesional dhe strehimin vijojnë në të njëjtat vlera si tek dikasteri i Financave.

Ndërkohë qeveria vijon edhe konsolidimin e borxhit publik duke ulur me katër miliardë lek deficitin e brendshëm dhe rrjedhimisht masën e planifikuar të huamarrjes.

Top Channel