Analisti Preç Zogaj nëpërmjet një lidhje skype për emisionin ‘Breaking’ me gazetaren Fiori Dardha në Top News foli për Federatën Opozitare të formuar së fundmi nga grupi i Rithemelimit dhe 11 parti të tjera përballë qeverisë Rama.
Zogaj e cilësoi aleancën si një ‘bashkim mekanik’ që nuk rrit votat për opozitën shqiptare. Sipas tij, opozita nuk po arrin t’u ofrojë një alternativë të besueshme qytetarëve që janë të pakënaqur me qeverisjen e vendit.
‘’Ky bashkimi mekanik nuk e zmadhon opozitën, e mban aq sa është madje edhe më të vogël. Shumica dërrmuese e qytetarëve në Shqipëri sipas shumë sondazheve rreth 60%, janë të pakënaqur me qeverinë. Ndërkohë 37% janë të kënaqur me Ramën. Por cili është ndryshimi, këta 37% të Ramës janë në kuti, ndërsa të opozitës janë të hallakatur sepse ka një elektorat shumë të madh që nuk e gjen veten tek këto subjekte. Nëse do kalohet nga lufta brenda llojit tek gjendja e konkurrencës e subjekteve politike të ndryshme’’- tha analisti.
Ndër të tjera, duke nënkuptuar qëndrimin që ka ish-kryeministri Sali Berishë për Prokurorinë e Posaçme, Zogaj tha se të jesh kundër SPAK është njësoj si të jesh kundër SHBA.
‘’Të jesh kundër SPAK-ut do të thotë të jesh kundër Amerikës. Ka opozitë në Shqipëri që është për problemet themelore të qytetarëve, për çështjet e demografisë që është problem. Opozita ka një numër të pafund problemesh që mund t’i kthejë në opsione’’- shtoi Zogaj.
Sipas analistit, duhet që federata opozitare të dalë me një opsion për Reformën Zgjedhore dhe një kandidat për kryeministër që është i gjithëpranuar nga palët.
“Këta, mund të institucionalizojnë një marrëdhënie të tillë, të dalin me një opsion për Reformën Zgjedhore dhe një kandidat të gjithëpranuar për kryeministër, në shembullin e një përvoje që para disa vitesh, Italia e ka shteruar me shumë sukses’’- argumentoi Zogaj.
Top Channel