Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka deklaruar se në burgjet shqiptare është thyer çdo balancë me të burgosurit.
Sipas Hoxhës, të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 3000 persona gjenden në statusin e të paraburgosurit duke krijuar një stok në proceset penale, çka nuk është normale. Për “Top Story”, Hoxha tha se dy janë dy instrumentat për ta lehtësuar këtë; amnistia dhe falja, dhe që nga viti 2020 në Shqipëri nuk ka pasur amnisti me ligj që të shprehet tolerance e ligjvënësit.
“Realisht në burgjet shqiptare është thyer çdo balancë. Në Shqipëri ka më shumë të paraburgosur që presin drejtësi sesa të burgosur të formës së prerë. Këto janë të dhënat zyrtare. Mbi 3000 persona janë në statusin e të paraburgosurit. Kjo nuk është normale dhe tregon se drejtësia shqiptare për shkak të stokut në proceset penale po mban pezull 3000 persona, të cilëve nuk iu është dhënë vendimi të pafajshëm apo fajtor. Kjo është një shkelje balance e hapur.
Dy janë dy instrumentet për ta lehtësuar këtë; amnistia dhe falja. Që nga viti 2020 në Shqipëri nuk ka pasur amnisti me ligj që të shprehet tolerance e ligjvënësit apo falje që jepet nga Presidenti. A e ndihmon amnistia drejtësinë në Shqipëri? Kjo u jep mundësinë personave që kanë kryer vepra të lehta penale të riintegrohen në shoqëri. Amnistia me ligj zbraz dosjet e prokurorëve…
Por e njëjta vëmendje duhet të tregohet edhe për çështjet që janë në proces hetimor, të cilat mund të rrëshqasin po aq lehtësisht. Ndoshta këta persona nën hetim nuk janë të nivelit të SPAK, por që në fund të ditës mund të jenë drejtorë apo nëndrejtorë që kanë shpërdoruar detyrën”- tha Hoxha.
Top Channel