19 organizata thirrje Izraelit, “plas” edhe në Bregun Perëndimor, të vrarë e të plagosur

22/02/2024 07:23

Mes përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes në Gaza, krerë të 19 agjencive të OKB-së dhe organizatave partnere i kërkuan Izraelit përmes një deklarate të përbashkët që “të përmbushë detyrimin e tij ligjor” për të dërguar furnizime mjekësore dhe ushqime, si dhe të ndihmojë operacionet humanitare në territorin e gjunjëzuar nga konflikti.

Deklarata u bën thirrje edhe udhëheqësve botërorë të parandalojnë një katastrofë edhe më të keqe.

“Sëmundjet janë të gjithëpranishme. Uria është pranë. Uji është me pikatore. Infrastruktura bazë është shkatërruar”, thuhet aty. “Prodhimi i ushqimeve është ndalur. Spitalet janë shndërruar në fusha beteje. Një milion fëmijë përballen me trauma të përditshme”.

Reagimi i tyre vjen pak pasi Shtetet e Bashkuara i vunë veton një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit ku bëhej thirrje për një armëpushim të menjëhershëm teksa numri i viktimave palestineze po i afrohej 30 mijëve në gati pesë muaj luftime mes Izraelit dhe Hamasit. SHBA-ja vetë tre ditë më parë kishte hartuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit ku kërkohej armëpushim i përkohshëm në enklavë, por vetëm në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve që janë ende në duart e Hamasit. Zyrtarët e OKB-së rrëfejnë se operacionet e tyre humanitare janë në gjendje shumë të rënduar, me vetëm 12 spitale që funksionojnë pjesërisht dhe ndërsa personeli i tyre punon në kushte të paimagjinueshme.

Situata po përflaket sakaq edhe në Bregun perëndimor, ku tre persona të armatosur shtinë me armë zjarri në rrugë pranë një pike kontrolli, duke e vrarë një izraelit dhe duke i plagosur së paku tetë të tjerë. Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur prej tetorit, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, duke ripërtërirë edhe një herë frikën e zgjerimit të konfliktit, gjë të cilën fuqitë rajonale e ato ndërkombëtare kërkojnë që të shmanget me çdo kusht.

Top Channel