“Ndër më të mëdhatë deri tani”, BE miraton paketën e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë

21/02/2024 11:37

Bashkimi Europian i dha dritën jeshile paketës së 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, njoftoi presidenca belge përmes rrjetit social X.

“Ambasadorët e bllokut sapo u pajtuan në parim për një valë të re sanksionesh në vazhdën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në njoftim, ku nënvizohet gjithashtu se kjo është njëra prej paketave më të të gjera të sanksioneve të Brukselit kundër Moskës. Në listën e re të kufizimeve janë përfshirë gati 200 subjekte dhe individë. Zyrtarisht, paketa do të miratohet pak më vonë, në mënyrë që të përkojë me  përvjetorin e dytë të fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Dy ditë më parë, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, u zotua e presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për vdekjen e udhëheqësit rus të opozitës, Alexei Navalny. Ai i bëri komentet pas një takimi që zhvilloi në Bruksel me të venë e kryeopozitarit rus, Yulia Navalnaya. Perëndimi, ashtu si edhe opozita ruse në mërgim, menjëherë e drejtoi gishtin e fajit nga Kremlini. “Siç e tha edhe Yulia, Putini nuk është Rusi. Rusia nuk është Putin. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për shoqërinë civile të Rusisë dhe mediat e pavarura”, tha Borell.

Navalnaya iu drejtua ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, pasi u zotua se do të vazhdojë luftën e burrit të saj kundër kontrollit të vrazhdë të Putinit mbi Rusinë. Ministrat e BE-së kishin diskutuar mundësitë për t’i shkaktuar kosto të reja të dhimbshme Kremlinit, pas vdekjes së Navalnyt dhe Borell u shpreh se priste që shtetet anëtare të BE-së të propozojnë sanksione të reja ndaj atyre që janë drejtpërdrejt përgjegjës për trajtimin e Navalnyt, përfshirë sistemin e burgjeve të Rusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA