Sulmet e lëvizjes Houthi dëmtojnë zinxhirin global të furnizimeve

20/02/2024 19:50

Qindra anije mallrash që udhëtojnë nga Azia drejt Evropës po shmangin rrugën e Detit të Kuq dhe Kanalin e Suezit për shkak të sulmeve dhe rrëmbimeve të vazhdueshme nga militantët e lëvizjes Houthi.

Konsideruar si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, rebelët Houthi filluan një valë sulmesh me raketa dhe dronë si kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjes së trupave izraelite në Rripin e Gazës kundër militantëve të grupit Hamas.

Dhoma Ndërkombëtare e Transportit thotë se sulmet e rebelëve Houthi kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme në zinxhirin e tregtisë globale, duke çuar në vonesa dhe rritjen e kostove. Barcelona ka një prej porteve kryesore të Evropës që pret mallrat e anijeve që kalojnë përmes Detit të Kuq.

Aktiviteti është shtuar në portin e Barcelonës, portë hyrëse në Mesdhe për kompanitë kryesore të transportit detar që po anashkalojnë Afrikën për të shmangur sulmet e lëvizjes Houthi në Detin e Kuq.

Dhuna ka shkaktuar probleme në Kanalin e Suezit, midis Azisë dhe Evropës, një nga rrugët kryesore tregtare. Këshilli Evropian i Transportuesve thotë se sulmet kanë rritur koston pasi firmat janë detyruar të vendosin tarifa shtesë për transportin e mallrave.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Jordi Torrent i cili drejton çështjet strategjike në portin e Barcelonës.

“Që kur anijet u detyruan të evitojnë këtë rrugë detare dy muaj më parë, ato arrijnë në portin e Barcelonës apo portet e tjera të Mesdheut Perëndimor me një vonesë që shkon deri në tre javë. Ky problem vazhdon dhe ka çuar në rriten e transportit detar me më shumë se 100% krahasuar me çmimet para luftës”.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, Kina dhe vendet e Azisë Jugore përbënin 30% të importeve evropiane. Shfrytëzimi i rrugëve më të gjata detare tashmë po ndikon në shumë sektorë, thotë zoti Torrent për Zërin e Amerikës.

“Azia është partneri më i madh tregtar i Evropës, ndaj gjithçka që ne konsumojmë kalon përmes Kanalit të Suezit, duke bërë që të preken të gjithë sektorët”.

Firma Tesla njoftoi se po ndalonte prodhimin e shumicës së makinave në fabrikën e saj në Berlin nga 29 janari deri më 11 shkurt, për shkak të mungesës së pjesëve, çka rrezikon prodhimin e rreth 7000 automjeteve. Ndërprerja e zinxhirit të furnizimeve po dëmton edhe bizneset e vogla.

Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Pilar Texeido e cila ka një dyqan që tregton enë kuzhine në Barcelonë.

“Furnizuesit na kanë njoftuar për probleme me mallrat që vijnë nga Azia Jugore, dhe gjithçka që ka lidhje me transportin detar është ndërlikuar për shkak të konfliktit”.

Ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën për të shkatërruar Hamasin, po ashtu edhe rebelët Houthi në Jemen vazhdojnë sulmet kundër anijeve të transportit. Analistët thonë se ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit përbëjnë një tjetër goditje të re për ekonominë evropiane e cila po përballet me inflacion dhe një recesion të butë./VOA

Top Channel