Rëndësia e zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut për kandidatët republikanë Trump dhe Haley

19/02/2024 22:45

Ish Presidenti Donald Trump po bën përpjekje që përmes zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut të nxjerrë nga gara zgjedhore kandidaten tjetër republikane Nikki Haley.

Haley është konkurrenca e vetme e Trump në garë për t’u emëruar kandidat presidencial nga radhët e republikanëve. Ish ambasadorja amerikane në OKB, Haley synon të mbijetojë deri në zgjedhjet e 5 Marsit, e ashtuquajtura “Super Tuesday”, ditës kur mbahen zgjedhjet paraprake në shumicën e shteteve amerikane.

Sipas anketimeve, ish Presidenti amerikan ka një avantazh të qartë në Karolinën e Jugut, ku zgjedhjet paraprake mbahen të shtunën, përkundër faktit se Haley ka qeverisur si guvernatore e këtij shteti për gjashtë vite.

Ndonëse shanset e Haley për të përparuar në garën presidenciale duken gjithnjë e më të zbehta, drejtuesit e fushatës së saj këmbëngulin se do të vazhdojnë fushatën pavarësisht nga rezultati.

Më poshtë mund të lexoni një analizë mbi shanset e dy kandidatëve në garën për të sfiduar Presidentin Joe Biden, kandidatin demokrat, në zgjedhjet e nëntorit.

DONALD TRUMP

Trump dëshiron t’i japë fund garës në radhët e republikanëve në mënyrë që të përqëndrohet plotësisht në garën kundër Presidentit Biden.

Tashmë fushata e Trump ka dhënë shenja se po kthen vëmendjen tek zgjedhjet e përgjithshme përmes sulmeve të shtuara ndaj presidentit dhe përmes përpjekjeve për të marrë nën kontroll Komitetin Kombëtar Republikan.

Trump e presin disa çështje me peshë edhe brenda partisë së tij. Kandidatura e zonjës Haley ka vënë në pah një përçarje të thellë mes republikanëve rreth kandidaturës së Trump. Një pjesë mjaft e madhe e këtij elektorati, kryesisht votues me nivel të lartë arsimi, që jetojnë në lagje të pasura, nuk duan të përfaqësohen nga një kandidat me vlera si ato që i përfaqëson Trump.

Drejtuesit e fushatës së tij duhet të shqetësohen nga mundësia e kalimit të këtij grupi votuesish në anën e Biden, të mbështesin një kandidat të mundshëm të tretë apo të mos marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit.

Trump duhet të dëshmojë se e ka nën kontroll partinë e tij dhe se është në pozitë të fitojë në garën ndaj Biden. Fitorja ndaj Haley, në shtetin e saj, do t’i ndihmonte atij.

NIKKI HALEY

Për Haley do të jetë më e vështirë të justifikojë qëndrimin në garë nëse humbet në Karolinën e Jugut, përballë Trump, pas humbjeve qp ajo pësoi ndaj tij në Ajova dhe Nju Hempshër. Trysnia që ajo të tërhiqet nga gara do të rritet me shpejtësi.

Por, për Haley, e cila ka shërbyer në postin e ambasadores amerikane në OKB gjatë administratës Trump, qëndrimi në garë është edhe një shprehje e mbështetjes për votuesit republikanë, të cilat nuk e mbështesin Trump.

Ajo gjithashtu ka një platformë ku shpreh shqetësimet e saj në lidhje me qasjen e Trump ndaj sigurisë kombëtare, që i ka theksuar edhe më tepër pasi Trump sugjeroi se do t’i lejonte Rusisë të kishte dorë të lirë me vendet e NATO-s që nuk përmbushin detyrimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes.

Haley, megjithatë, duhet të mendoj edhe për pasojat që një seri humbjesh mund të kenë në shanset e saj për të kandiduar sërish pas 4 vjetësh.

Fushata e saj ka vënë në dukje një sërë garash paraprake që do mbahen të martën e 5 marsit ku ajo shihet si favorite, duke përfshirë Teksasin, Karolinën e Veriut dhe Virxhinian./Voa

Top Channel