Meksikë/ Sulmuan ushtrinë, vriten 12 persona të armatosur! Dyshohet se janë anëtarë të një karteli droge

19/02/2024 11:00

Dymbëdhjetë persona të armatosur u vranë në një betejë me ushtrinë në Tamaulipas, njoftuan dje të dielën autoritetet e këtij shteti verilindor meksikan.

Konflikti shpërtheu gjatë një patrulle ushtarake në komunën e Miguel Aleman, në kufirin me SHBA-në, tha Departamenti i Sigurisë së Shtetit në rrjetet sociale.

“Elementet e ushtrisë u sulmuan nga civilë të armatosur të cilët ishin fshehur në bimësi të ulët dhe janë neutralizuar 12 sulmues”, tha i njëjti burim për incidentin, i cili ndodhi rreth orës 14:00 me orën lokale.

Burimet qeveritare të AFP-së konfirmuan se 12 sulmues, që besohet të jenë anëtarë të një karteli droge, u vranë në një betejë me ushtrinë, anëtarët e së cilës përdorën drone dhe një helikopter.

Tamaulipas është ndër shtetet e prekura nga dhuna e krimit të organizuar. Ai shpesh kthehet në një teatër konfliktesh midis bandave rivale, që konkurrojnë për kontrollin e rrugëve të arta të trafikut të drogës në SHBA.

Më shumë se 420,000 vrasje janë regjistruar zyrtarisht në Meksikë që kur filloi e ashtuquajtura “lufta kundër drogës” në vitin 2006, me vendosjen e forcave të armatosura brenda vendit për të goditur kartelet. Që atëherë, shkalla e vrasjeve në vend është trefishuar, duke arritur në 25 për 100,000 banorë. Janë regjistruar gjithashtu mbi 110,000 zhdukje me forcë, shumica që nga viti 2006. Shumica e vrasjeve dhe zhdukjeve me forcë i atribuohen nga autoritetet bandave të krimit të organizuar.

Top Channel