Jose Mourinho rikthehet të flasë për vitin e Tripletës me Interin dhe pikërisht për gjysmëfinalen e kthimit ndaj barcelonës në “Camp Nou”, ku zikaltrit u mposhtën 1-0 dhe siguruan kualifikimin në finale.
Asokohe trajneri portugez u kritikua jo pak për tërheqjen e skuadrës në mbrojtje për minuta të tëra, teksa kur kanë kaluar thuajse 14 vite, Mourinho shpjegon edhe arsyet e atij vendimi.
“Ndeshjen e parë e trajtova me dëshirën për ta fituar dhe ia dolëm të triumfojmë 3-1. Në “Camp Nou” thonë se parkuam autobusin, por harrojnë se ne luajtëm me 10 lojtarë që prej minutës së 28’ dhe kishim përballë skuadrën më të mirë të kohës, me lojtarë si Messi, Xavi, Iniesta, Busquets, Pique, Ibrahimoviç, etj. Kur ke për të arritur një objektiv mund të përdorësh çdo strategji të mundshme dhe kjo quhet inteligjencë taktike. Nuk jam penduar për atë vendim, pasi bëmë një ndeshje të madhe dhe në fund arritëm finalen. Nuk më interesonte aspak se çfarë do të thoshin komentatorët e specialistët e studiove”, rrëfen portugezi.
Pasi eliminoi Barcelonën, Interi u përball në finale me Bayernin e Mynihut, ku triumfoi me rezultatin 2-0 dhe ngriti lart trofeun e Championsit, bashkë me titullin kampion e Kupën e Italisë./ Super Sport
Top Channel