Elisa Spiropali, Ministre për Parlamentin, e ftuar në Top Story e quajti ardhjen e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë, si një gur kilometrik në marrëdhëniet me SHBA, duke thelluar edhe më shumë partneritetin mes dy vendeve.
“Interesi i Shqipërisë dhe Qeverisë përputhen, dua të them me bindje që ky takim ishte një gur kilometrik me marrëdhëniet me SHBA dhe një thellim i partneritetit tonë strategjik, një marrëdhënie që është thelluar sa i takon çështjeve që sigurisë, paqes në rajon, faktorit ndërkombëtar, rolin në botë dhe unë besoj se Shqipëria ka rolin e saj në gjithë këtë kuadër”, tha Spiropali.
Ministrja theksoi rolin e vendit tonë në qëndrimin e mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB, si partnere e SHBA, në krah të Ukrainës dhe rolin e rëndësishëm në NATO.
“Shqipëria sapo ka dalë nga një detyrë e kryer në mënyrën më të lartë të mundshme në Këshillin e Sigurimit, si partner i SHBA, ka dëshmuar që është një partnere e vendosur e SHBA dhe vendeve të. Është një partnere e besuar në NATO dhe posaçërisht vitet e fundit, ku ka pasur nevojë për të shtuar buxhetin, ne kërkojmë siguri por edhe japim siguri, siç është strehimi i afganëve dhe për të vijuar për të gjithë partneritetin që na kanë dhënë, duke e parë Shqipërinë si një interes gjeostrategjik. Shqipëria është një vend ku kemi bazën më të rëndësishme të NATO-s por edhe në gjithë Evropën lindore dhe reforma në drejtësi nuk mund të ishte bërë pa mbështetjen e fortë të SHBA”, u shpreh ministrja.
Kryeministri Edi Rama ia ka deleguar ministres Elisa Spiropali interpelancën që kërkoi opozita, por u kundërshtua nga deputeti Agalliu, i cili tha se Rama nuk mund të fshihet pas Spiropalit. E pyetur nga Grida Duma për një koment, Spiropali tha: “Unë jam ministre pa xhep, unë atë detyrë atë punë bëj, kam bërë edhe herë të tjera interpelanca në Kuvend. Më vjen keq për kolegun Agalliu që iu bërtit dhe iu shkel mikrofoni në mënyrën më të shëmtuar. Nuk e kuptoj pse e kanë këtë drojën që të mos reagojnë deputetët e opozitës.”
Top Channel