“Mbrojtja e qëndrueshme 2024”/ Batalioni i këmbësorisë së lehtë përfundon stërvitjen në Pukë, Begaj: Shqipëria, Euro-Atlantike në frymë dhe veprim

14/02/2024 10:05

Përfundon me sukses stërvitja kompaktësuese dimërore e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë e koduar “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”.

Në ditën e fundit të kësaj stërvitje, e cila u zhvillua në rajonin e Pukës morën pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj, njëherësh Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Major Arben Kingji si dhe komandantë të forcave.

Në fjalën e tij Peleshi përgëzoi efektivët, djemtë dhe vajzat e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, e cila është një njësi e certifikuar nga NATO si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me Aleancën Veri-Atlantike dhe të njësive të tjera që u përfshinë në këtë stërvitje për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre.

“Mjedisi i sotëm i sigurisë karakterizohet nga një numër në rritje i kërcënimeve dhe kundërshtarëve të vlerave perëndimore. Agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës dhe konflikti në Lindjen e Mesme kanë tronditur rendin dhe sigurinë globale duke sjellë nevojën jo vetëm të një reagimi të përbashkët nga të gjithë vendet e aleancës, por dhe atë të zhvillimit të kapaciteteve kritike dhe të forcimit të qëndrueshmërisë kombëtare”- u shpreh ministri, duke evidentuar faktin se fokusi është në atë që po ndodh sot në rajonin tonë, i cili vazhdon të mbetet një rajon i brishtë dhe me tensione të provokuara që tentojnë destabilizimin e tij.

“Ndaj sot kemi një strategji të re të sigurisë kombëtare, e cila do të pasohet së shpejti nga strategjia ushtarake dhe plani afatgjatë i zhvillimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky bazament i fortë strategjik, na jep një shtysë për të konsoliduar dimensionin operacional dhe taktik duke vendosur theksin tek transformimi i pandërprerë i forcave dhe i kapaciteteve tona”, deklaroi Peleshi.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes këto kapacitete do të testohen shumë shpejt në funksion të stërvitjes së madhe të NATO-s “Steadfast Defender 2024”. Peleshi u shpreh i kënaqur me faktin se këtë vit përmbushet zotimi për investimet në 2 përqind të PBB në kuadër të NATO-s, për sigurinë dhe mbrojtjen, ndërsa theksoi vijimin e mbështetje financiare dhe sociale për personelin ushtarak.

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës Bajram Begaj u shpreh se “Shqipëria ka qenë dhe mbetet Euro-Atlantike në frymë dhe në veprim. Si popull historikisht paqedashës, orientimi ynë është paqja dhe siguria, ndaj sot është me rëndësi jo vetëm solidariteti me vlerat e vendeve të tjera anëtare, por edhe forcimi i mëtejshëm i lidhjeve transatlantike”.

Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneral Major, Ilir Xhebexhia teksa shprehu falenderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen ndaj ushtarakëve u zotua se kjo forcë do të jetë e angazhuar dhe do të punojë me përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë për realizimin e çdo detyre dhe në përmbushtje të detyrimeve ndaj Aleancës.

Stërvitja “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024” është pjesë e programit trajnues dhe stërvitor vjetor të Forcës Tokësore për këtë vit dhe zhvillohet në një moment kyç, pasi prej 1 nëntorit 2023 kjo forcë ka kaluar në strukturën e re organizative, e cila konsiston në një forcë ushtarake më efektive, e kompletuar me personel, e mirëpajisur me armatim dhe teknikë të avancuar, e mirëtrajnuar, e stërvituar dhe e motivuar, e gatshme të kryejë misionin kushtetues në mbrojtje të vendit.

FOTO GALERI
7/21

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA