Drejtori i ri sportiv, United zgjedh “mjeshtrin” e zbulimit të talenteve

14/02/2024 18:45

Pasi u konfirmua edhe nga Premier League blerja e 25% të aksioneve të klubit të Manchester United nga miliarderi britanik, Sir Jim Ratcliffe, tani është hapur edhe drita jeshile për të bërë ndryshime në strukturën sportive të klubit.

Pak javë më parë, “Djajtë e Kuq” emëruan si shefin e ri ekzekutiv “ish”-in e Manchester Cityt, Omar Berrada. Ndërkohë që pritet që United t’i rrëmbejë Newcastle drejtorin sportiv, Dan Ashworth.

Një hierarki e qëndrueshme sportive ka munguar te 20 herë kampionët e Anglisë që prej largimit të David Gill, thuajse një dekadë më parë. Sir Jim Ratcliffe po i adreson këto probleme që në fillim të hegjemonisë së tij të re tek United.

Dan Ashworth është një drejtor sportiv i afirmuar në Angli. Para se të bëhej pjesë e Newcastle në vitin 2022, ai ishte pjesë e Brightonit, ku u shqua për transferimet e Leandro Trossard, Moises Caicedo, Alexis Mac Allister apo dhe Karou Mitoma.

Ashworth u konfirmua edhe te Newcastle me afrime cilësore, por edhe të gjithë veprimtaritë e tjera sportive. Duke filluar nga filozofia e klubit, vizioni i akademisë apo projektet afatshkurtër dhe afatgjatë.

Megjithatë, trokitja e Manchester United në derë e ka tunduar dhe 52-vjecari është gati t’i bashkohet “Djajve të Kuq”, për të nisur revolucionin e marrë përsipër nga Sir Jim Ratcliffe./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA