Briken Calja dhe Erkand Qerimaj do të provojnë të kualifikohen në olimpiadën e Paris 2024, në bazë të rezultatit të kampionatit europian që po zhvillohet në Sofie të Bullgarisë.
Prej më se dy vitesh, peshëngritësi nga Shtërmeni nuk ka mundur të jetë në pritshmëritë e tij, por edhe të publikut, për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi në Europianin e zhvilluar në Tiranë, dy vite e gjysmë më parë. Ndërkohë që në një intervistë për Top Channel ai tregon rrugën e vështirë që ka zgjedhur për të humbur peshë në një periudhë të shkurtër që të tentojë të marrë maksimumin në kategorinë olimpike të garuesve deri në 73 kg.
“Kam zgjedhur një rrugë të vështirë për të humbur peshë dhe për të rënë në këtë peshë gare që është edhe olimpike. Do të jetë shumë e fortë pasi janë mbledhur shumë sportistë kampion rreth 5 kampion Europe në këtë peshë dhe për këtë arsye gara do të jetë shumë e fortë”, tha Calja.
Por a do të jetë ky Europian shansi i fundit për të siguruar një rezultat të mirë për në Olimpiadën e Parisit?
“Do të kemi edhe kampionatin botëror pas rreth një muaj më vonë, megjithatë do të tentoj këtu që të bëj rezultatin më të mirë”, tha peshngritësi.
Për të siguruar kualifikimin në Paris 2024 peshngrtisve shqiptarë do t’i merret për bazë rezultati më i mirë i pesë garave të fundit dhe atëherë do të mësohet nëse Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, do të kenë mundësinë të mbyllin karrierën e tyre të shkëlqyer me ose pa olimpiadën e fundit.
Top Channel