Shqipëria, Enver Hoxha dhe ‘hoxhizmi’ – Nga Spartak Ngjela
Ndërtimi psikik i Enver Hoxhës e shtynte atë drejt intrigës, urrejtjes dhe vrasjes. Ai, në të gjithë patologjinë e tij të brendshme e kishte vrasjen si ushqim kryesor të shpirtit.
Pushteti si dëshirë absolute dhe vrasja si patologji e karakterit të tij – ky ishte Enver Hoxha.
Nuk humbet askush, por gjithkush shpesh ndihet i humbur.
Kjo është jeta jonë: sepse shqiptarët jetojnë prej 500 vjetësh në humbje, që atyre iu nisi me pushtimin osman të Arbërisë.
Por, Enver Hoxha, që erdhi në pushtet në vitin 1944 -1945, ishte për Shqipërinë si një inerci e Perandorisë Osmane, dhe, si inerci, ai krijoi në Shqipëri hoxhizmin, i cili në veprim kriminal ishte më i egër se osmanizmi.
Themi se ishte një inerci e Perandorisë Osmane, sepse Enver Hoxha krijoi në Shqipëri frymën antiperëndimore, duke shkelur historinë e Shqipërisë dhe, sidomos, duke përbuzur në thelb Rilindjen Kombëtare.
Por, çfarë ishte hoxhizmi?
I.
Hoxhizmi ishte një orientalizëm kriminal që Enver Hoxha e krijoi për të shuar me dhunë patologjinë e tij të brendshme si një dëshirë e sëmurë për pushtet, por edhe për të vrarë.
Pikërisht për këtë dhe brenda këtij motivi, Enver Hoxha me dhunë, intrigë dhe dredhi krijoi pushtetin e vet absolut brenda Shqipërisë, por këtë absolutizëm në fillim ai e mbështeti te praktika staliniane të komunizmit.
Komunizmi i dha Hoxhës një pseudodoktrinë, dhe me këtë pseudodoktrinë, e cila në histori tani është quajtur “doktrinë kriminale”, komunizmi krijoi shtetin e parë komunist, e më pas edhe një botë të tërë lindore – komuniste.
Kurse në Shqipëri komunizmi erdhi në pushtet me një ushtri të rregullt, të cilën partia komuniste e ndërtoi në luftë kundër pushtuesve të Shqipërisë gjatë luftës së dytë Botërore.
Shteti komunist, i vendosur me dhunë ushtarake në Shqipëri në vitin 1944, i dha të drejtën regjimit komunist që ky të krijonte Sigurimin e Shtetit si polici sekrete dhe si një institucion qëndror me forcë absolute të drejtuar prej tij.
Me anë të këtij Sigurimi, Enver Hoxha krijoi terrorin shtetëror, ndrydhi shoqërinë, dhe me gjyqet fals të krijuar nga Sigurimi i Shtetit, krijoi ushqimin e vet patologjik: vrasjen që i duhej si kërkesë e brendshme e sëmundjes së tij psikike për dy arsye: mbajtjen e pushtetit politik absolut dhe mundësinë e realizimit të patologjisë së tij vrastare: Enver Hoxha ishte skizofren agresiv i diagnostikuar nga mjekësia normalisht.
II.
Ndërtimi psikik i Enver Hoxhës e shtynte atë drejt intrigës, urrejtjes dhe vrasjes. Ai, në të gjithë patologjinë e tij të brendshme e kishte vrasjen si ushqim kryesor të shpirtit. Ai e gjeti të gatshëm stalinizmin si një ushqim për patologjinë e tij kriminale, dhe, duke u hequr si mbrojtës i madh i marksizëm leninizmit, krijonte vazhdimisht gjyqe fals për të realizuar vrasjen e kundërshtarëve të tij, të cilët i krijonte vetë për t’i vrarë si armiq, dhe me vrasjen e tyre të ushqente patologjinë e tij kriminale. Por, na duhet të theksojmë që Enver Hoxha ishte krijuesi i ri i një populizmi agresiv në Shqipëri dhe, me anë të tij, siguroi pushtetin e vet kriminal, ashtu siç e shpjeguam më lart.
Me ndërtimin e tij psikik të sëmurë patologjikisht erdhi një çast historik i përsëritur kur donte të vriste ata të cilët vet i kishte përdorur për të vrarë… ata vrisnin, Hoxha qetësohej, por pastaj ai i vriste edhe ata që kishin vrarë për Enver Hoxhën. Dy ministrat e brendshëm, Koçi Xoxe dhe Kadri Hazbiu, që kishin vrarë për të ushqyer skizofreninë vrastare të Enver Hoxhës në 40 vjet rresht, ai i vrau që të dy: Koçi Xoxe në vitin 1948 dhe Kadri Hazbium në vitin 1983.
III.
Na duhet të theksojmë se ky ishte qerthull i tij kriminal, por për realizimin e tij ai, brenda doktrinës komuniste që e kishte sjellë në pushtet.
Por më pas, ai shfrytëzoi praktikën kriminale të Stalinit për eliminimin e kundërshtarëve të tij, të cilën e bëri një instrument vrastar që i jepte vazhdimisht forcën e tij jetësore sipas motos së tij të brendshme vrastare e kriminale njëherësh: unë vras për të ushqyer jetën time politike me vdekjen e të vrarëve të mijë.
Ky ishte Enver Hoxha, i cili si i tillë është absurditet që ta analizosh si një diktator: jo, Enver Hoxha ishte një skizofren i diagnostikuar që vriste krejt për interes të tij.
Hoxha i akuzoi vijimisht si armiq ata të cilët i duheshin që me vdekjen e tyre nga vrasja që u thurte Enver Hoxha me gjykatat dhe gjykimet fals, ai të merrte ushqimin e vet jetësor nga vdekja e atyre që domosdoshmërisht të shpalleshin armiq.
Dhe kjo ishte në fakt doktrina staliniane e armikut të klasës, të cilën Enver Hoxha e kaloi në ekstrem dhe me këtë rrugë reale të krimit shtetëror ai sundoi nga viti 1944 deri në vitin 1985 kur gjeti vdekjen e tij, e cila, edhe kjo vdekje solli në shoqërinë shqiptare një shëmtim historik që shqiptarët qanë masivisht për vrasësin serial të intelektualizmit shqiptar dhe vetë shoqërisë shqiptare për 40 vite rresht.
Top Channel