“Lum kush ka gjyshërit”/ Shkolla nuk i ndihmon prindërit, oraret e mësimit i pengojnë që të punojnë

12/02/2024 19:39

Në nxitim prindërit marrin fëmijët e tyre nga  shkollat publike.

Orari i pakët mësimor i nxënësve në klasat e arsimit fillor, disa familjeve u ka hyrë në hak ditës së punës.

“Erdha me vrap po e marr se jam në punë”- shprehet një prind.

Prindër të tjerë e konsiderojnë veten me fat që fëmijët kanë gjyshërit, të cilët kujdesen për ta me mbarimin e mësimit. Ka edhe që gjejnë zgjidhje duke i lënë të vegjlit në qendra edukuese pas shkollës, por që janë të kushtueshme.

“Unë filloj mësim në tetë, mbaroj në 11:30. Para se të vinte nëna, më merrte mami, linte punën”.

“Janë në punë prindërit, kush do kujdeset? Angazhohen njerëz të tjerë. Psh te lagjia ime janë dy qëndra afterschool, të cilat i marrin fëmijët, ju japin e për të ngrënë, bëjnë e detyrat, por që është shpenzim ekstra. Prindërit janë të interesuar që këtë organizim ta bëjë vetë shkolla”.

3 orët e 30 minutat në të shumtën e ditëve të procesit mësimor krijohen pengesë edhe për punësimin e prindërve. Ndaj ata kërkojnë zgjatjen e orarit të mësimit, apo aktiviteteve shkollore në ambientet arsimore e shprehin gatishmërinë edhe të paguajnë një shumë të arsyeshme për të marr këtë shërbim shtesë njësoj siç qeveria ka hedhur idenë e autonomisë spitalore.

“Unë kam lënë punën për tu kujdesur, për ti shoqëruar fëmijët. Është sakrificë. Por nuk ja dalim dot. Orari mësimor nuk mjafton, të paktën të jetë deri në orën 13:00, e përkundrejt një pagese”

Projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” i mban të hapura shkollat përtej orarit mësimor, por kjo nismë nuk zhvillohet në të gjitha institucionet arsimore.

Prindërit kërkojnë që projekti të zgjerohet, e çdo nxënës nga klasa e 1 deri në të 5 të mund të përfitojë.

Top Channel