Reforma zgjedhore, online/ Opozita ankohet për votën e emigrantëve, Gjiknuri: Nuk është e detyrueshme

09/02/2024 12:03

Në pamundësi për të zhvilluar një mbledhje normale për shkak të  Rithemelimit, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj e gjetën zgjidhjen tek teknologjia.

“Ju kërkojmë ndjesë…”, tha Alibeaj.

Por, ndjesa e kërkuar nuk frenoi vërejtjet ndaj dy bashkëkryetarëve.

“Situata në Parlament është shqetësuese që manifeston problematikën kryesore që është gjithëpërfshirja”.

Edhe pse i kishin ftuar për t’i marrë mendim, seanca dëgjimore me grupet e interesit shërbeu për të nxjerrë në pah pozicionet e socialistëve dhe demokratëve për zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për emigrantët dhe mandatet.

“Zgjedhje te tilla ku nuk reflektohet vendimi për votën e diasporës, ku nuk reflektohet vendimi për shpërndarjen e mandateve janë të vlefshme apo s’janë të vlefshme janë legjitime apo s’janë legjitime”, tha Alibeaj.

Pyetjet e Enkelejd Alibeaj edhe pse i drejtoheshin të ftuarve, më shumë duket se ishin për veshët e kolegut socialist.

“Në fakt nëse zgjedhjet do ishin antikushtetuese vetë Gjykata Kushtetuese do i shpallte të lira dhe në rastet kur iu referuat atij vendimi”, tha Gjiknuri.

Socialistët vijojnë të mendojnë se për votën e diasporës topi është në fushën e KQZ, duke ia faturuar Ilirjan Celibashit koston në rast dështimi.

 “Nuk ka pas asnjë pengesë KQZ të nxirrte akte nënligjore. Vota e emigrantëve është shumë e rëndësishme ne e kemi parashikuar, por parimet ndërkombëtare thonë se nuk është e detyrueshme për shtet të garantojnë votën e shtesave që jetojnë jashtë vendit”, u shpreh Gjiknuri.

“Ky është opinion i z.Gjiknuri, unë jam totalisht kundër, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, është i ekzekutueshëm dhe pikë, është i detyrueshëm për Kuvendin”, deklaroi Alibeaj.

Dëgjesa e Komisionit do të vijojnë me partitë politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA