“Krimi i organizuar po studion bazën e Shëngjinit”, Karamuço tregon “defektet”, nga vrasjet brenda kampit te trafiku ilegal

09/02/2024 10:29

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, tregoi disa “defekte” të kampit që do të ngrihet në Shëngjin, për të pritur emigrantët që arrijnë në tokën italiane, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Ramës dhe Melonit.

I ftuar në Top Story, Karamuço tha se në këto emigrantë që do të vijnë drejt vendit tonë mund të jenë terroristë të përfshirë me ISIS, mund të kryejnë akte të tilla si vënie zjarrin apo vrasje brenda në kamp.

“Tre sulme terroriste 2 në Francë dhe 1 në Belgjikë i kemi pasur nga njerëz që kanë zbarkuar në Lamedusa, kanë qenë ekstremistë të ISIS-it, kanë deportuar në vendet europiane dhe janë lidhur me celulët, duke kryer aktet. Tendenca e tyre është që infiltrohen në grupe të emigrantëve, kjo mund të na ndodhë dhe ne. Ka pasur disa tentative për vënie zjarri, si në rastin e një kanioni të madh, ka pasur vrasje brenda në kamp”, tha Karamuço.

Një faktor tjetër është trafiku ilegal, me dëshirën e emigrantëve për t’u larguar jashtë vendit, ata mund të ndihmohen të kalojnë territorin.

“Për shkak se aty është ishull ne kemi një pozicion të ndryshëm gjeografik, mund të intesifikohen linjat e trafikut ilegal, duke i nxjerrë dhe duke i larguar jashtë vendit. Po janë të gjitha hipoteza”, thotë Karamuço.

Një pikë tjetër me rëndësi është se sipas ekspertit, krimi i organizuar në Shqipëri ka filluar që tani të mendojë se si do ta përdorë për përfitimet e tij këtë kamp.

“Madje kanë vënë në mendime krimin e organizuar se si do ta shfrytëzojnë këtë kamp. Ajo është një qendër jo emigrantësh është qendër penitenciare, pra është si burg. Mund të kryejnë vepra penale brenda në kamp, ose kur të vijnë këtu mund të shfaqen të dhëna që kanë kryer krime në vendet e tyre. Do ketë një komisariat policie të posaçëm, nuk do durojnë dot dhe do rebelohen shumë”.

Përsa i përket numrit të lartë të personave që do të akomodohen, Karamuço tha se fluksi i lartë do të sjellë pasoja, sepse “mund të ndodhin kriza humanitare”, ndërsa fondi 200 milion euro nuk mjafton.

Top Channel