Katër grupe kriminale që trafikonin lëndë narkotike në disa shtete europiane, u goditën në operacionin e koduar “Muratori” të realizuar nga SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë e Firences dhe Kordinim me EUROJUST.
Në operacionin e Interpol, Europol, Eurojust, u arrestuan 67 të dyshuar, në Shqipëri, Itali, Gjermani, Spanjë, dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndaj 12 të dyshuarve të tjerë u ndërmorën masa të tjera parandaluese në Itali. Rrjeti kryesisht trafikonte heroinë, kokainë, hashash duke përdorur makina me dysheme të dyfishtë ose ndarje të fshehta.
Operacioni i sotëm ka çuar në sekuestrimin e pasurive në vlerën 5 milionë euro. Në Shqipëri janë sekuestruar: 32 subjekte tregtare, 45 automjete, 4 motomjete, mbi 200 llogari bankare, 19 pasuri te paluajtshme.
Në një dalje për mediat, prokurori Vladimir Mara shpjegoi se në vendin tonë janë sekuestruar mbi 200 llogari bankare të personave të përfshirë dhe 30 shoqëri tregtare.
“Tashmë është e qartë që krimi i organizuar ka kaluar çdo lloj kufiri. Operacioni i sotëm tregon se pa një bashkëpunim, nuk mund të luftohet korrupsioni. Ishte një hetim i kryer nga Prokuroria e Firences dhe SPAK.
Grupe kriminale që kishin shtrirë aktivitetin e tyre në të gjithë Europën, duke shpërndarë sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike. Janë sekuestruar në Shqipëri mbi 200 llogari bankare të personave të përfshirë dhe 30 shoqëri tregtare, 18 pasuri të paluajtshme dhe pasuri të tjera. Të gjithë trafikantë të lëndëve narkotike drejt vendeve të BE”.
Top Channel