Belgët e Kaninës! Të huajt që duan të zhvendosen në Vlorë

04/02/2024 12:17

Një çift bashkëshortësh shqiptaro-belg dhe vajza e tyre 6- vjeçare, prej më shumë se një muaji janë vendosur në fshatin Kaninë të Vlorës.

Klea nga Berati tregon se jetonte prej 15 vitesh në Belgjikë e martuar me Liroj por  ajo thotë se ishte dëshira e bashkëshortit që e ktheu në Shqipëri.

 “Për momentin po jetojmë më qira, por dëshira jonë është të jemi banorë të përhershëm në këtë fshat.  Deshëm të largoheshim nga stresi perëndimor, dhe sa herë vinin më Shqipëri kemi gjetur qetësi, dielli që del pothuajse të të gjitha ditët e vitit”, u shpreh Klea Mimini.

I dashuruar me jetesën e thjeshtë shqiptare, Leroy rrëfen përse e do atdheun e bashkëshortes, Shqipërinë.

 “Kam gjetur një qetësi të madhe këtu. Atje në Belgjikë  ka qenë një stres i madh me punën dhe çdo herë nxitoja, ndërkohë që në Kaninë trupi im ndihet rehat, po ashtu Kanina nuk është larg nga qyteti dhe kemi çdo gjë afër”, u shpreh Leroy De Vleesschauëer.

Vajza e tyre 6-vjeçare Ylee ka nisur të mësojë shqip në klasën e parë.

“Ndihem shumë mirë si me fëmijët e tjerë po ashtu dhe më mësuesit. Më pëlqen më shumë të jetoj në Kaninë”, u shpreh Ylee.

Çifti shprehet se kanë shumë të miq që mezi presin të shkojnë për pushime në Vlorë dhe sidomos në Kaninë.

Ndërsa Bareq Sadiraj, kryetari i fshatit Kaninë  tregon se këta belgë nuk janë të vetmit që kërkojnë të jetojnë në Kaninë.

“Në këtë fshat ka shumë kërkesa për të blerë shtëpi apo dhe për t’i marrë me qira, dy kosovarë kanë blerë Shtëpi , po ashtu dhe një turk dhe një arab që jetojnë në Kaninë, pasi ky fshat ofron çdo gjë”, tha kryetari i fshatit Bareq Sadiraj.

Vetëm pak kilometra larg Vlorës, Kanina është kthyer në magnet për turistët, jo vetëm me bukurinë natyrore por dhe historinë e zonës.

Top Channel