U largua me shpejtësi për t’iu shmangur kontrollin në kufi, arrestohet 72-vjeçari/ Hodhi nga makina armën, e më pas iu gjetën mijëra euro

03/02/2024 10:44

Një 72-vjeçar është vënë në pranga, pasi u largua me shpejtësi duke refuzuar të kontrollohej në pikën kufitare të Hanit të Hotit.

Kontrolli policor do të bëhej në territorin e Malit të Zi, por ai nuk ka ndaluar dhe ka tentuar të largohet, por u kap nga Policia Kufitare shqiptare, në territorin e pikës kufitare të Hanit të Hotit.

Gjatë kësaj kohe ai hodhi nga automjeti 1 armë zjarri pistoletë, e më pas në mjet iu gjetën të fshehura 17,640 euro, të ndara në disa pjesë.

Pas verifikimeve, sipas policisë, rezultoi se 72-vjeçari me iniciale F. S. kishte precedent të mëparshëm penal, për armëmbajtje pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Top Channel