Privatizimi i fabrikës “Buka”/ Shtyhet për në 16 shkurt seanca paraprake për Ahmetajn

02/02/2024 09:53

Seanca paraprake ndaj ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetajt për privatizimin e fabrikës ‘Buka sh.a’, u shty për në datën 16 shkurt.

Shkak për shtyrjen e seancës në Gjykatën e Posaçme, u bë mungesa e prokurorit.

Më 7 dhjetor të vitit që lamë pas, SPAK mori zyrtarisht të pandehur Arben Ahmetaj për veprën penale shpërdorim detyre për çështjen e privatizimit të ish-fabrikës “Buka” që sipas SPAK i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 7 miliardë lekësh.

Mësohet se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, ndërsa nën hetim janë dhe 6 ish-punonjës të Ministrisë së Financave.

Ish-ministri i Financave deklaroi nga arratia se në procedurën e privatizimit të fabrikës së bukës në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë, ka mbrojtur interesat e shtetit dhe nuk e ka shkelur detyrën.

Ndaj Arben Ahmetaj ka dhe një çështje tjetër të hapur në SPAK që lidhet me inceneratorët për të cilën ai u shpall në kërkim në muajin korrik të këtij viti për disa akuza, më e rënda prej atyre ajo e pastrimit të parave.

Top Channel