NGA ENDRI ARIZI
Siguria është një nga çështjet që ka zënë axhendën politike të Shteteve të Bashkuara por dhe Bashkimit Europian.
Të shtunën e 27 janarit, tre ushtarë amerikanë u vranë në Jordani gjatë një sulmi me dron, që sipas Pentagonit u ndërmor nga grupet militante të mbështetura nga Irani. Por kjo situatë ka tensionuar akoma më shumë sigurinë, që tashmë është me e brishtë se kurrë. Lufta në Ukrainë, nga njëra anë, ajo në Gaza nga ana tjetër, por dhe sulmet e SHBA dhe Britanisë kundër rebelëve Houthi, që operojnë në Jemen, kanë nxitur një situatë të zymtë duke e bërë të pasigurt të ardhmen për shumë kombe, që tashmë janë me një këmbë drejt nisjes së një tjetër lufte botërore.
Një minë kjo me sahat, që mund të nisë edhe kësaj here, ashtu si Lufta e Parë Botërore: PO në Ballkan. E pse këtu?
Serbia, një vend me bindje pro ruse, tashmë në axhendën e saj, vijon prej vitesh betejën kundër Kosovës. Ideja e Sebisë së Madhe, në këtë shtet vijon të qarkullojë prej kohësh. Mosnjohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe lobimet në arenën ndërkombëtare kundër Prishtinës, po tregojnë haptasi prej kohësh qëllimet djallëzore të Beogradit, që me mbështetjen edhe të Rusisë, po vijon të hedh shashka edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku përmes të besuarit të saj Milorad Dodik, ka nisur fushatën për ndarjen e Republikës Srpska. E nga ana tjetër, ka nisur dhe armatosjen. Por edhe pse ministri serb i Mbrojtjes tha se Serbia po merr masa që të mbrohet në rast nevoje, pyetja që shtrohet është se nga cili shtet rrezikohet Beogradi?
Deklaratat populiste, tashmë janë bërë zhargon në këtë shtet. Por nisma për armatosje e Serbisë erdhi fill pasi SHBA aprovoi kërkesën e Kosovës për ta furnizuar me raketat “Javelin”.
Por teksa BE dhe SHBA po ushtrojnë presion mbi Serbinë dhe Kosovën akoma më shumë pas sulmit terrorist në Banjskë, që t’i rikthehen edhe njëherë dialogut, vetë Brukseli dhe Uashingtoni, janë të paqartë sa i takon të ardhmes dhe sigurisht sigurisë. Italia nga njëra anë, është i pari shtet që ka hedhur në Union idenë e krijimit të një ushtrinë europiane. Kjo me argumentin se kontinenti Europian është më i pasigurt dhe më i pambrojtur se kurrë. Por a është ky një sinjal që mund të çojë në shpërbërjen e NATO?
Ende mbetet e paqartë, por duket se disa shtete europiane nuk po besojnë më tek Aleanca e Traktatit të Atlantikut të Veriut pas nisjes së luftës në Ukrainë. Por, nga ana tjetër NATO po vijon misionin e saj, ku për herë të parë, po kryen një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake që nga koha e Luftës së Ftohtë. Stërvitje në të cilën marrin pjesë rreth 90 mijë trupa dhe në fokus janë manovrat mbrojtëse dhe sulmuese në rast se aleanca do të përballet me një agresion. Ku veç forcës, NATO po përcjell dhe një mesazh të drejtëpërdrejtë ndaj Rusisë, që prej kohësh po përflitet se gjatë verës së këtij viti do të ndërmarrë një seri sulmesh kundrejt Aleancës.
Por këto veprime ushtarake, duken sikur po i hapin rrugë një konflikti bërthamor mes shteteve. Konflikt që do të përfshi jo vetëm Europën por dhe Lindjen e Mesme si dhe kontinentin e Azisë. Kudo termi sigurisë është bërë më i ndjeshmi. Aq sa Republikanët në Kongres po e përdorin këtë cështje pasi e shohin si rrezik ndësa kërkojnë me ngulm tërheqjen e Shtëpisë së Bardhë nga këto konflikte duke mos miratuar paketën e ndihmës për Ukrainën e nga ana tjetër për Izraelin.
Vetë Donald Trump akuzoi administratën Biden për vrasjen e 3 ushtarëve (ngjarje e ndodhur në 27 Janar në Jordani) ndërsa theksoi se nëse do të fitojë zgjedhjet do të rikthejë politikat që do të rivendosin paqen dhe stabilitetin. Por a do të jenë zgjedhjet presidenciale të 2024 në SHBA ato që do të ripërcaktojnë të ardhmen e botës që tashmë duket më afër se kurrë drejt Luftës së Tretë Botërore, apo vetë Europa po e sheh veten të dobët përballë krizës që ka përfshirë shumë vende – si Italia me çështjen e emigrantëve, apo Franca e Gjermania me protestat e fermerëve dhe çështjet ekonomike – dhe po kërkon me ngulm më pak “përgjegjësi” në arenën ndërkombëtare, pas pasojave të lëna nga dy luftrat botërore, dhe se po përpiqet me doemos që të ruaj paqen përmes dialogut, pavarësisht kostove të mëdha që mund të jenë shkaktuar deri më tani.
Por, ajo që po ngjall më shumë paqartësi dhe pasiguri, për mua mbetet pikërisht BE që vijon të mos mbaj një qëndrim në unison për çështje që po cenojnë dhe rrezikojnë sigurinë në kontinentin europian, duke nisur nga rasti i Serbisë që mbetet një nga vendet më kërcënuese për sigurinë e Ballkanit, por jo vetëm.
*Redaktor në Departamentin e Lajmeve në Top Channel
Top Channel