“Bashkëpunoi me Hamasin”, skandali i agjencisë së OKB-së, më i madh nga sa mendohej

30/01/2024 12:54

Një sërë vendesh tërhoqën ndihmat e tyre pas ekspozimit të skandalit të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.

Kombet e Bashkuara reaguan ashpër duke treguar se pa këto ndihma, nuk do të jenë në gjendje t`i ofrojnë banorëve të Gazës asistencën e duhur e thanë se kanë nisur një hetim, ndërsa punonjësit e akuzuar nga Izraeli për bashkëpunim me Hamasin, janë shkarkuar.

Megjithatë, sipas  “Wall Street Journal”, përmasat e lidhjeve të punonjësve të kësaj agjencisë me terroristët në Rripin e Gazës janë më të mëdha se mendohej. Jo vetëm 12 persona, siç u bë e ditur më parë, kanë bashkëpunuar për sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit.

Rreth 10% e afër 12.000 punonjësve të organizatës në Rripin e Gazës duket se kanë pasur lidhje me organizatën terroriste apo atë të Xhihadit Islamik, raporton media amerikane duke iu referuar të dhënave të shërbimeve sekrete.

“Problemi i i UNRWA-s nuk është se janë ‘disa mollë të prishura’ që morën pjesë në masakrën e 7 tetorit”, është cituar një zyrtar i lartë izraelit. “Institucioni si i tillë është një vatër e ideologjisë radikale të Hamasit.”

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres njoftoi se nëntë nga dymbëdhjetë zyrtarët e akuzuar të Agjencisë ishin liruar menjëherë. Ai bëri të ditur se të dyshuarit do të mbajnë përgjegjësi, përfshirë edhe ndjekjen penale. Agjencia u themelua në vitin 1949 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Qëllimi i saj është të kujdeset për nevojat e palestinezëve të regjistruar si refugjatë dhe pasardhësve të tyre të zhvendosur ose për ata që ikën nga koha e krijimit të shtetit të Izraelit në 1948, si dhe nga Lufta e Parë Arabo-Izraelite që pasoi. Nga rreth 750.000 në vitin 1948, numri i tyre është rritur ndërkohë në 5.9 milionë sot.

Top Channel