Shpërndante drogë në fushat sportive ku luanin nxënësit e shkollave, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë

28/01/2024 12:01

Një i ri është arrestuar pasi u kap me doza droge, të cilat i shiste në fusha sportive që frekuentoheshin nga nxënës shkolle.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se në rrugën “Mati Logoreci”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi R. H., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në afërsi të fushës sprotive, në Laprakë, e cila frekuentohet nga nxënës shkolle.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 63 doza me kanabis, të cilat 27-vjeçari i kishte fshehur në sahatin e ujit, në një pallat afër fushës së Laprakës. Ndërkaq, po punohet për identifikimin e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel