Shkarkohet shkencëtari i lartë rus që pretendonte se njeriu rron deri në 900 vjet (fotot)

27/01/2024 17:39

Dr Alexander Kudryavtsev është shkarkuar nga posti për pikëpamjet e tij të padëgjuara, mes të cilave pretendon gjithashtu se përgjegjësia për mëkatet e kaluara mund të mbahet nga pasardhësit deri në shtatë gjenerata.

Një gjeneticist i njohur në Rusi është shkarkuar nga postet pasi ka pretenduar se njeriu  më parë jetonte deri në 900 vjet, por jeta e tij e sotme është shkurtuar mes të tjerash, prej barrës së mëkateve të paraardhësve tanë.

Dr Kudryavtsev u shkarkua nga drejtimi i akademisë së shkencave Vavilov të Gjenetikës së Përgjithshme por megjithëse nuk jepej një arsye formale për vendimin, mediat vendase përmendin si arsye pikëpamjet e tij të pazakonta të lidhura me besimin dhe idetë e panjohura ose të papranuara nga shumica.

Në një konferencë shkencore në mars akademiku argumentonte se Universi i krijuar nga Zoti në procesin e krijimit, është degraduar prej mëkateve të njerëzve.

Madje këta të fundit në të kaluarën jetonin deri në 900 vjet dhe ishin qenie të përkryera fizike e shpirtërore, por mëkatet nisën të shkaktonin mutacione gjenetike që e dëmtuan e gjymtuan mirëqenien e tij. Në konferencën në Minsk raportohet se audiencat ishin shokuar duke kërkuar shpjegime ose duke u larguar nga salla.

60 vjeçari thotë gjithashtu se fëmijët deri në gjeneratën e shtatë “mbajnë përgjegjësi për mëkatet e etërve të tyre të hershëm” dhe kur u sfidua për këtë nga gazetarët, ai u përgjigj: “Dua të theksoj influencën e dëmshme të ashtuquajturave zakone të reja të njeriut, ato që teologët i quajnë mëkate”.

“Ato ndikojnë te genomi i njeriut. Nëse ndodh një mutacion në trup, gametet i kalojnë fëmijëve tuaj dhe asgjë nuk mund të bësh për këtë. Prandaj konkluzioni është i thjeshtë  nëse do fëmijë të shëndetshëm, mos bëj mëkate, mos krijo zakone të këqija, mos bjer në mëkat”.

Më pas profesori shtonte: “Unë po shpreh vetëm pikëpamjen time personale, jo të akademisë ruse të shkencave dhe as pikëpamjen e Kishës. E gjithë kjo nuk ndikon në punën e institutit tonë të gjenetikës”.

Doktori u shkarkua nga posti shkencor në qershor por kreu i komisioni të kishës ruse Fyodor Lukyanov, dënoi vendimin e largimit të Kudryavtsev duke thënë se ishte bërë për “për pikëpamje fetare dhe gjykime bazuar në këto pikëpamje”. ‌Lukyanov tha: “Ne i kemi kaluar vetë kohërat sovjetike kur gjenetika konsiderohej ‘pseudoshkencë’”.

FOTO GALERI
1/2
Kisha dënoi vendimin e largimit të Kudryavtsev duke thënë se ishte bërë për “për pikëpamje fetare dhe gjykime bazuar në këto pikëpamje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA