Burrat e dhunshëm/ Psikologët: Mbizotërojnë problemet e shëndetit mendor, heshtja nuk është dashuri!

27/01/2024 15:12

Ngjarjet e fundit të burgosjes së grave në shtëpi nga burrat e tyre, me argumentin e xhelozisë, kanë në thelb problemet e shëndetit mendor, thonë psikologët.

“Në këtë situatë mendoj se ka ndikuar shumë edhe mentaliteti në të cilin meshkujt, kryefamiljari ka të drejtën të bëjë presion të kontrolloj. Është mentaliteti që e vendos mashkullin në pozicion të tillë dhe femrën të nënshtrohet ndaj monitorimit nga bashkëshorti, nga djali nga kryefamiljari, nga babai. Askush nuk ka pse, nuk ka asnjë arsye t’i nënshtrohet problemeve të shëndetit mendor të tjetrit, kushdo qoftë ky person”, shpjegon psikologia Jonida Haxhiu.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në banesë u gjetën edhe dy letra, që  bashkëshortja ua kishte, familjarëve që u linte lamtumirën.

“Patjetër që situata të tilla janë stresuese, sikurse vëmë re edhe te partnerja që ka shkruar disa letra si klithmë për të kërkuar ndihmë dhe ndoshta ka qenë e vetmja mënyrë për të kërkuar ndihmë për të thënë diçka për pamundësinë që ndodhej për të ndihmuar veten e saj ,fëmijën e saj dhe për të shpëtuar nga ky realitet i frikshëm dhe stresues”, shpjegon Haxhiu.

Në kushtet kur qartazi kemi të bëjmë me probleme të shëndetit mendor, çfarë këshillon psikologia?

“Është e rëndësishme të kuptojmë që heshtja, të pranuarit e problemeve të shëndetit mendor të tjetrit, nuk është dashuri, përkundrazi dashuri është të ndihmuarit këtij personi t’i drejtohet një specialisti për të marrë trajtimin e duhur për këtë problem”, thotë ajo.

Top Channel